New Orleans Pelicans u kanë shkaktuar humbjen e dytë radhazi Memphis Grizzlies, në një ndeshje që rezultoi ndër më argëtueset e sezonit të rregullt deri më tani. Edhe pse luanin pa Zion Williamson, Pelicans triumfuan 113-102, duke u mbështetur tek CJ McCollum dhe Brandon Ingram. I pari rezultoi deçiziv me 30 pikë e 9 asiste, teksa ishte i saktë me 7 gjuajtje nga përtej harkut. Ndërsa Ingram shënoi 19 pikë, po aq sa edhe Larry Nance Jr. Tek Memphis, si zakonisht më i miri ishte Ja Morant, i cili nuk zhgënjeu, duke dhënë spektakël në të gjitha mënyrat. Ylli i Grizzlies shënoi një 3-pikësh nga mesi i fushës, teksa u përpoq i vetëm t’i jepte fitoren skuadrës së tij, por pa ia dalë mbanë.
Fitore të vuajtur morën ata të Dallas Mavericks, që rezistuan deri në sekondat e fundit për të triumfuar 103-101 ndaj Los Angeles Clippers. Luka Doncic bëri një tjetër ndeshje të madhe, me 35 pikë, 11 ribaunde e 5 asiste, duke iu përgjigjur paraqitjes së yllit të Clippers, Paul George, që u ndal në 23 pikë, 7 ribaunde e 6 asiste. Mavericks e morën ndeshjen nën kontroll që në periodën e parë, kur siguruan një avantazh prej 15 pikësh. Më vonë, ky avantazh do të thellohej në 22 pikë, por ata të Clippers nuk u dorëzuan dhe në periodën e tretë, rihapën ndeshjen. Në fund, Doncic ia doli të bënte më të mirën e tij pë të shtyrë skuadrën tek fitorja, që është e teta në këtë sezon. Humbje historike për Brooklyn Nets, që u mposhtën 121-153 nga Sacramento Kings. Kjo ishte hera e parë që skuadra e Nets pëson kaq shumë pikë, duke shënuar një tjetër moment aspak të mirë në radhët e njujorkezëve. Kevin Durant u pa të ishte i vetëm në përpjekjet për t’i dhënë fitoren Brooklyn. ‘KD’ shënoi 27 pikë, ndërsa ata të Sacramento-s u përgjigjën me Davis, i cili realizoi 31 pikë, me 7 gjuajtje të sakta nga 10 tentativa në total nga përtej harkut. Portland Trail Blazers triumfuan ndërkohë 117-110 ndaj San Antonio Spurs, të udhëhequr nga Jerami Grant, Anfernee Simons dhe Damien Lillard. Grant ishte shënuesi më i mirë për Blazers me 28 pikë, ndërsa Simons u ndal në 23. ‘Double-double’ për liderin e skuadrës, Lillard, i cili veç 22 pikëve të shënuara, ishte i saktë edhe me 11 asiste. Fitore të rëndësishme morën edhe ata të Neë York Knicks, 118-111 ndaj Utah Jazz, në një sfidë që pa rezultatin të përmbysej disa herë përgjatë 48 minutave.