NBA, Paul George befason, rinovon me Oklahoma City Thunder

Sport

paul 12
Paul George ishte bërë një ndër lojtarët më të përfolur të NBA, pasi nga 1 korriku i skadonte kontrata me Oklahoma City Thunder. 28-vjeçari mendohej se do të kthehej në qytetin e tij të lindjes, në Los Angeles, ku Lakers kishin gati një pagë të majme dhe një rol protagonisti për të. Megjithatë, George ka bërë një hap pas me deklaratat e largimit dhe ka konfirmuar rinovimin me Oklahoma City Thunder. Ai ka nënshkruar një kontratë maksimale për 4 sezone më skuadrën e “Konferencës së Perëndimit”, nga ku do të përfitojë në total rreth 137 milionë dollarë.

paul
Kështu ai bëhet një ndër më të paguarit në elitën e basketbollit amerikan dhe konfirmon rolin e tij si protagonist tek Oklahoma. Kohë rinovimesh edhe tek Golden State Warriors, teksa trajneri Steve Kerr do të jetë në krye të kampionëve të fuqi edhe për 3 vite të tjera. Kanë qenë gazetarët të cilët qëndrojnë pranë Warriors që kanë konfirmuar një lajm të tillë, ndërsa për momentin nuk bëhen të ditura detajet financiare. Me Warriors, trajneri Steve Kerr ka arritur 265 fitore në sezonin e rregullt dhe ka pësuar vetëm 63 humbje. Në “play-off” ka humbur vetëm një seri takimesh, atë ndaj Cleveland dy sezone më parë në finalen e madhe, teksa ka triumfuar në 15 seri të tjera.