Pas një serie prej 7 fitoresh radhazi, Philadelphia 76ers janë tronditur në shtëpinë e tyre, në ‘Wells Fargo Center’, nga Orlando Magic, që ia dolën të triumfonin 119-109. Edhe pse Embiid ishte lojtari më i mirë në parket me 30 pikë e 11 ribaunde, Sixers nuk ia dolën të ruanin avantazhin prej 13 pikësh që krijuan që në periodën e parë. Orlando ia doli të përmbyste gjithçka falë Paolo Banchero dhe Moritz Wagner, që shënuan respektivisht 29 e 22 pikë.
Nga humbja e Sixers kanë përfituar ata të Brooklyn Nets, që fituan sfidën e tyre në shtëpi ndaj Los Angeles Lakers 121-104. Në mungesë të LeBron James dhe Anthony Davis, Lakers u mbështetën tek Russell Westbrook, që në aspektin personal bëri një paraqitje të mirë me 17 pikë, 8 ribaunde e 10 asiste, por që nuk vlejtën shumë për ekipin kalifornian. Ndërsa Nets u udhëhoqën nga Kyrie Irving, i cili ishte shënuesi më i mirë me 26 pikë të shënuara, ndërkohë që kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Paty Mills e Cam Thomas me nga 21 pikë secili.
Ndeshje emocionuese ishte ajo mes Minnesota Timberwolves dhe Sacramento Kings, që pa fituesë këta të fundit me rezultatin 118-111, vetëm pas kohës shtesë. Loja ishte mjaft e balancuar, me avantazhin që kalonte nga njëra anë e parketit, në tjetrin. Në fund të periodës së katërt, ishte McDaniels që shënoi për 3, duke barazuar gjithçka. Kurse lideri i Kings, De’Aaron Fox u përpoq t’i jepte fitoren skuadrës së tij, por gaboi në ekzekutim. Gjithësesi, Fox ia doli të jepte më të mirën në kohën shtesë, duke e mbyllur në total me 32 pikë të shënuara. Tek Minnesota mund të krenohen ndërkohë me Anthony Edwards, i cili ishte shënuesi më i mirë i sfidës me 33 pikë, me Rudy Gobert që kompletoi një ‘double-double’, me 19 pikë e 14 ribaunde.
Tjetër ndeshje historike nga Luka Doncic, që shënoi 53 pikë në fitoren 111-105 ndaj Detroit Pistons. Doncic bëri gjithçka thuajse i vetëm, duke u shfaqur i papërmbajtshëm në parket edhe me 8 ribaunde e 5 asiste, teksa kjo ishte ndeshja e katërt në këtë sezon dhe e pesta në karrierë, që ‘Luka Magic’ realizon 50 pikë ose më shumë.
Në takimet e tjera, Warriros mposhtën 128-120 Oklahoman, falë 38 pikëve të Steph Curry, ndërsa Washington Wizards vazhdojnë me serinë e fitoreve, teksa kaluan 127-106 San Antonio Spurs. Zhgënjejnë sërish ata të Toronto Raptors, që u mundën 106-114 nga Phoenix Suns, ndërsa Portland ‘i falet’ sërish Damian Lillard, i cili me 42 pikë të shënuara, i dha fitoren 129-125 ndaj Atlanta Hawks.