NBA, Orlando ka zgjedhjen e parë në ‘Draft’; Weltman mes Holmgren, Banchero dhe Smith

Sport

Edhe pse sezoni i basketbollit të kolegjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka 3 muaj që është mbyllur dhe ‘Draft’-i i këtij viti do të mbahet gjatë kësaj jave, tek Orlando Magic ende nuk kanë vendosur cilin emër të përzgjedhin.

Është vetë presidenti i klubit, Jeff Weltman, që ka zbuluar se ai dhe drejtuesit e tjerë të skuadrës ende nuk kanë marrë një vendim final për zgjedhjen e tyre, që do të jenë e para për këtë vit. Weltman është shprehur se në klasën e 2022-shit, nga kolegjet gjejmë shumë emra të talentuar, të gatshëm për të bërë hapin e madh drejt NBA. 3 lojtarët më të përfolur së fundmi janë Jabbari Smith nga Auburn, Paolo Banchero i Duke dhe Chet Holmgren nga Gonzaga, me këtë të fundit që shihet si më i kuotuari për të qenë zgjedhja e parë në ‘Draft’-in e këtij viti. Presidenti i Orlando Magic, Jeff Weltman foli me elozhe për të tre këto emra, por pa dalluar se cili ka shanset më të mëdha për të qenë pjesë e skuadrës nga ‘Konferenca e Lindjes’ në sezonin e ardhshëm të NBA. Për Orlando Magic, kjo është hera e katërt që do të kenë mundësinë të bëjnë zgjedhjen e parë në ‘Draft’. Në vitin 1992, ata do të përzgjidhnin Shaquille O’Neal, ndërsa një vit më pas, Chris Webber. Në 2004-ën, do të lexohej emri i Dwight Howard. të tre këta emra kanë qenë me shumë peshë në botën e NBA, prandaj tifozët e Magic, presin që edhe zgjedhja e këtij viti, të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen e skuadrës nga Orlando.