NBA, Orlando befason Lakers; Minnesota bën ‘hap fals’ ndaj Torontos

Sport

Orlando Magic i kanë shkaktuar skuadrës së Los Angeles Lakers, humbjen e parë në shtëpinë e tyre në këtë sezon, teksa iu falën një 3-pikëshi të Franz Wagner në fundin e ndeshjes, për të triumfuar 119-118. Gjermani bëri një ndeshje të madhe, duke u shfaqur si lider i skuadrës së tij me 37 pikë të shënuara, 6 ribaunde dhe 11 asiste, ndërkohë që ndeshje të mirë bënë edhe Jalen Suggs me 23 pikë apo Mo Wagner me 19. Takimi nisi më mirë për Lakers, që deri në fundin e pjesës së parë, kishin një avantazh të lehtë. Orlando bëri diferencën në periodën e tretë, ku ia doli të përmbyste rezultatin dhe të pretendonte këtë fitore. Për Lakers, Anthony Davis e mbylli me 39 pikë, duke u shfaqur edhe si shënuesi më i mirë i takimit, ndërkohë që LeBron James e mbylli me 31 pikë, 10 ribaunde e 7 asiste. Davis ndërkohë pati mundësinë të siguronte fitoren për skuadrën kaliforniane, por gaboi në një nga gjuajtjet e lira në fundin e takimit, duke i dhënë Franz Wagner shansin për të përmbysur çdo gjë për në fundin e ndeshjes.

‘Hap fals’ edhe për Minneosta Timberwolves, që u surprizuan në transfertë nga Toronto Raptors, 110-105. Kanadezët dhuruan një performancë të shkëlqyer në periodën e katërt, duke përmbysur skuadrës e Timberwolves, që nuk i mjaftuan 26 pikët e Anthony Edwards apo 23 pikët e Julius Randle, për të vulosur fitoren e tyre. Tek Raptors, më i dalluari ishte RJ Barrett, me 31 pikë, teksa austriaku Poetl e mbylli me ‘double-double’.

Charlotte Hornets triumfuan vetëm pas kohës shtesë ndaj Detroit Pistons, në një takim mjaft të luftuar e që u mbyll me rezultatin e ngushtë 123-121. Brandon Miller me 38 pikë dhe LaMelo Ball me 35, ishin ata që shkëlqyen për Hornets në këtë triumf, teksa për Pistons, nuk mjaftoi performanca e mirë e Cade Cunningham, i cili realizoi 27 pikë, 7 ribaunde dhe 10 asiste.

Edhe pse pa Wembenyama-n në parket, San Antonio Spurs morën një tjetër fitore, duke mposhtur 126-118, skuadrën e Utah Jazz.