NBA, Oklahoma ‘trondit’ Boston; Giannis ‘shpërthen’ ndaj Wizards

Sport

Oklahoma City Thunder kanë arritur një fitore rekord në historinë e tyre, pasi mposhtën me rezultatin e pabesueshëm 150-117, atë që konsiderohet për momentin si skuadra më e mirë në ‘Konferencën e Lindjes’, Boston Celtics. Diferencat në këtë takim u bënë në periodën e dytë, me teksanët që siguruan një avantazh prej 20 pikësh. Në periodën e tretë, Celtics do të humbisnin Marcus Smart, që do të përjashtohej për shkak të protestave të shumta ndaj arbitrave, ndërkohë që Tatum e Brown nuk ia dolën të ndryshonin fatin e sfidës. Dyshja kryesore e Bostonit shënuan respektivisht 27 dhe 29 pikë, kurse për Oklahomën, më i miri në këtë aspekt ishte Josh Giddey, me një rekord sezonal prej 25 pikësh.

Fitore të rëndësishme kanë marrë tek Milwaukee Bucks, që mposhtën një nga ekipet më në formë të momentit, Washington Wizards, me rezultatin 123-113. Giannis Antetokounmpo bëri diferencën, duke ‘shpërthyer’ pas kritikave të shumta të marra në javën e fundit. ‘The Greek Freak’ shënoi plot 55 pikë, ndërkohë që ishte i rëndësishëm edhe me 10 ribaunde e 7 asiste. ‘Double-double’ edhe për Brook Lopez me 21 pikë e 12 ribaunde, apo Bobby Portis, me 17 pikë e 13 ribaunde.

Emocione të shumta pati në përballjen mes Utah Jazz dhe Sacramento Kings, e mbyllur me fitoren e këtyre të fundit, 115-117. Takimi ishte mjaft i balancuar dhe pa rezultatin të përmbysej disa herë. Në fundin e takimit, ishte De’Aaron Fox që bëri diferencën me një depërtim drejt qendrës, teksa finalizoi saktë me ndihmën e tabelës. Ata të Jazz nuk patën më shumë kohë se 4 të dhjetat e sekondi për një goditje të fundit. Markkanen ia doli të realizonte, por arbitrat vendosën ta anullonin koshin e tij, pasi pamjet treguan që gjuajtje erdhi pas rënies së alarmit. Lideri i Kings, Fox, ishte më i dalluari me 37 pikë, ndërkohë që Markkanen duket të kënaqet me 28 pikët e shënuara.