Seria mes Oklahoma City Thunder dhe Denver Nuggets do të jetë e luftuar deri në sekondën e fundit. Skuadra më e mirë e sezonit të rregullt në ‘Konferencën e Perëndimit’ ia doli të triumfonte 87-92 në ‘shtëpinë’ e Denver, për të risjellë në barazpeshë serinë mes tyre. Takimi i radhës nisi me skuadrat të përqëndruara në mbrojtje. 17-8 u mbyll perioda e parë e ndeshjes në favor të Oklahoma-s, duke regjistruar edhe numrin më të ulët të pikëve të shënuara në periodën e parë të një ndeshjeje ‘play-off’-i. Më pas, avantazhi kaloi sa në njërën anë të parketit, në tjetrën, derisa në 12 minutat e fundit, Thunder ia dolën të finalizonin me një ritëm tjetër. Shai Gilgeous-Alexander bëri sërish liderin për të tijët, me 25 pikë, 6 ribaunde e po aq asiste. Ndërkohë që tek Denver, Nikola Jokic e mbylli me 27 pikë e 13 ribaunde, por që nuk e ndryshuan fatin e ndeshjes.
Fitore të rëndësishme morën ata të Indiana Pacers, që dominuan në takimin e katërt ndaj Cleveland Cavaliers 129-109. Pacers morën gjërat nën kontroll që në pjesën e parë, duke siguruar një avantazh prej plot 41 pikësh. Për të komplikuar gjërat më tej për Cavaliers, ishte dëmtimi i Donovan Mitchell përpara nisjes së pjesës së dytë, çfarë nuk i dha më as edhe një shans ekipit nga Ohio. 3 lojtarë të Indianës, Pascal Siakam, Obbi Toppin dhe Myles Turner shënuan të paktën nga 20 pikë secili, ndërkohë që i vetmi që ruajti të njëjtin ritëm tek Cavaliers, ishte Darius Garland me 21 pikë. Tani, Indiana është vetëm një fitore larg kualifikimit më tej, duke qenë pranë realizimit të një tjetër befasie në këtë fazë ‘playoffs’.