Me fazën play-off që po i afrohet fundit, përpara se NBA të njoh kampionët e këtij sezoni, janë zyrtarizuar emrat e talenteve që do të jenë pjesë e “draft”-it për vitin 2018.
Michael Porter Jr, Mohamed Bamba, Trae Young, Chandler Hutchison, Shai Gilgeous-Alexander apo DeAndre Ayton priten të jenë të përzgjedhur e parë nga skuadrat e NBA, që do t’u ofrojnë edhe mundësinë e debutimin në elitën e basketbollit amerikan. Në fakt njëri prej tyre ka filluar të shkruajë historinë përtej Atlantikut që tani. Bëhet fjalë për Mohamend Bamba të Texas-it, që ka vendosur rekord sa i përket gjatësisë së hapjes së krahëve.
Deri më tani në NBA ky rekord mbahej nga emra të njohur si Kevin Durant, Giannis Antetokounmpo, Anthony Davis dhe Rudy Gobert, me këtë të fundit që regjistronte gjatësinë më të madhe me 236 cm. Por tashmë ky rekord do t’i përkasë Mohamed Bamba, që ka një hapje të krahëve deri në 239 cm. Jo më kot mediat sportive dhe trajnerët në Shtetet e Bashkuara e cilësojnë si një ndër basketbollistët më premtues, i cili mund të shkruajë historinë e NBA edhe më tej. Në kategorinë e të rinjve këtë sezon, 20-vjeçari ka një mesatare prej 12.9 pikësh, 10.5 zotërimesh të topit nën tabelë dhe 3.7 bllokime për ndeshje.