NBA, Nikola Jokic ‘braktis’ Serbinë; thotë se nuk do të luajë në botëror

Sport

Nikola Jokic ka qenë padiskutim ylli kryesor i NBA për vitin 2023. Shtatlarti serb ishte njeriu që udhëhoqi Denver Nuggets drejt titullit të tyre të parë në histori, teksa ia doli të dominonte në çdo aspekt kundërshtarët e tij, duke fituar në fund edhe çmimin si ‘MVP’ i finalve të mëdha. Prej kohësh, Jokic është duke shijuar pushimet e tij, ndonëse angazhimet për pasionin e tij, kuajt, nuk e kanë lënë të qetë. Por 28-vjeçari ka nevojë ende të pushojë dhe për këtë arsye ka vendosur të ‘braktisë’ përfaqësuesen e Serbisë, në mision e tyre në botërorin e basketbollit. Jokic ka befasuar me vendimin e tij për të hequr dorë nga pjesëmarrja në ‘FIBA World Cup’, duke e justifikuar me faktin se ndihet ende shumë i lodhur, sidomos në aspektin psikologjik. Këtë e ka zbuluar trajneri i përfaqësues serbe, Svetislav Pesic, i cili zbuloi se ka folur personalisht me lojtarin, që i ka komunikuar edhe mungesën e tij në botëror. Për Serbinë, kjo është një goditje e fortë para nisjes së përgatitjeve për kampionatin botëror, pasi shumë shpresonin që Jokic do të bënte liderin për përfaqësuesen e tyre, njësoj si 28-vjeçari udhëhoqi Denver Nuggets drejt titullit kampion në NBA. Veç Jokic, edhe një tjetër lojtar i rëndësishëm do të mungojë për Serbinë. Bëhet fjalë për Vasilije Micic, i cili vetëm pak kohë më parë firmosi një kontratë 3-vjeçare me Oklahoma City Thunder. Pikërisht kjo marrëveshje me skuadrën teksane mund të jetë arsyeja pse Micic ka refuzuar të marrë pjesë në botëror me Serbinë, pasi kërkon të jetë gati në 100%-shin e tij në nisjen e sezonit të ri të NBA.