NBA, New York Knicks rihapin serinë ndaj Indiana Pacers

Sport

Finalja e ‘Konferencës së Lindjes’ ka ende shumë për të dhënë. New York Knicks kanë rihapur diskutimin ndaj Indiana Pacers, pasi triumfuan në shtëpinë e këtyre të fundit 106-100, në atë që ishte ndeshja e tretë e serisë mes tyre. Pasi kishin humbur dy takimet e parë në ‘Madison Square Garden’, tek Knicks e kishin të qartë se çfarë duhet të bënin në Indianapolis, ku pavarësisht mbështetjes masive ndaj Pacers, ia dolën të merrnin një fitore të vyer. Skuadra e trajnerit Thibodeau e pa veten në një disavantazh prej 13 pikësh deri në fundin e pjesës së parë, por me rikthimin nga pushimi, ia dolën të përmbysnin gjihtçka. Vetëm në periodën e katërt, Knicks regjistruan rezultatin e pjesshëm 36-20, çfarë i ndihmoi të merrnin këtë fitore shumë të rëndësishme në shtëpinë e Pacers.

Karl-Anthony Towns ishte shënuesi më i mirë i ndeshje me 24 pikë, teksa rezultoi vendimtar edhe me 15 topa nën tabelë. 23 pikë ndërkohë nga ylli kryesor i Knicks, Jalen Brunson, i cili edhe në çastet e fundit, ia doli të ishte deçiziv për të tijët. Nga ana tjetër, për Indiana-n, më i dalluari në parket ishte sërish Tyrese Haliburton, me 20 pikë të shënuara e 7 asiste, i ndjekur nga Myles Turner me 19 pikë dhe Pascal Siakam me 17.

Pacers vijojnë të mbajnë avantazhin e serisë 2-1, pavarësisht kësaj humbjeje, ndërkohë që edhe ndeshja e katërt, do të zhvillohet në shtëpinë e tyre, në ‘Gainbridge Fieldhouse’, në një sfidë që mund të vendosë jo pak për fatin e finaleve të ‘Konferencës së Lindjes’.