Prej vitesh, tifozët e New York Knicks presin të ndërtohet një skuadër kampionësh, në mënyrë që ‘Madsion Square Garden’ të shijojë edhe njëherë emocionet e mëdha të finaleve. Mirëpo edhe pse kanë kaluar disa vite që nga nisja e procesit të ‘rindërtimit’ të skuadrës, Knicks duken ende larg arritjes së objektivit ‘finale’. Në dy sezonet e fundit, skuadra e trajnerit Tom Thibodeau ka arritur të shkojë deri në fazën ‘playoffs’, por pa lënë gjurmë, duke shfaqur diferenca të mëdha me skuadrat e tjera, që cilësohen si favorite. Për gjithë këtë situatë, i pari që do të paguajë do të jetë drejtori i përgjithshëm, Scott Perry. Siç raportojnë mediat amerikane, kontrata e Perry-t me Knicks skadon në fundin e këtij sezoni dhe skuadra njujorkeze nuk ka ndërmend t’i ofrojë një kontratë të re. Kështu, presidenti Leon Rose dhe drejtori ekzekutiv, njëkohësisht edhe zëvendës-presidenti, William Wesley, do t’ja besojnë dikujt tjetër projektin e tyre. Mbërritja e Jalen Brunson në verën e shkuar provoi të ishte lëvizje e rëndësishme për Knicks, por jo e mjaftueshme për të ndryshuar fytyrën e skuadrës. Drejtuesit do të vazhdojnë të përqëndrohen tek zgjedhjet në ‘Draft’, për të afruar të tjerë emra të rëndësishëm, teksa vlen të theksohet se për këtë vit, Knicks nuk kanë asnjë zgjedhje në raundin e parë. Gjithësesi, ata do të kenë mundësi të zgjedhin në raundin e parë në 6 vitet e ardhshme, ndërkohë që emra si RJ Barrett, Immanuel Quickley, Quentin Grimes apo Mitchell Robinson, mund të përdoren në shkëmbimet e mundshme në të ardhmen.