New Orleans Pelicans kanë arritur të sigurojnë një fitore me peshë, teksa mposhtën me rezultatin e ngushtë 113-111, një nga kundërshtarët direkt për fazën ‘play-off’, Dallas Mavericks. Edhe pse 3 shënuesit më të mirë të ndeshjes ishin nga skuadra teksane, tek New Orleans ishin plot 8 lojtarët që e kaluan kuotën e 10 pikëve, çfarë edhe i dhuroi fitoren në fund Pelicans. Luka Doncic ia doli të dhuronte një ndeshje të madhe në aspektin personal, me 37 pikë, 11 ribaunde dhe 7 asiste, por nuk ia doli të ndryshonte fatin e takimit. Doncic vuajti me gjuajtjen për 3 pikë, ku realizoi vetëm 2 nga 13 tentativa në total. Me një gjuajtje nga përtej harkut, ai provoi t’i jepte fitoren Dallasit në sekondën e fundit, por tentativa e tij nuk ishte e saktë.
Surprizë mund të konsiderohet humbja e Los Angeles Clippers, 108-94 ndaj Oklahoma City Thunder. Në një ndeshje ku yjet e kalifornianëve, Kawhi Leonard e Paul George ishin lënë pushim, Clippers nuk ia dolën të merrnin më të mirën nga John Wall, që u ndal në 12 pikë të shënuara. Shkëlqeu për Oklahoman i zakonshmi Gilgeous-Alexander, me 33 pikë, 5 ribaunde e 8 asiste. Washington Wizards triumfuan pa probleme kundër Detroit Pistons, 120-99, me Kyla Kuzma e Kristaps Porzingis që udhëhoqën kryeqytetasit, duke shënuar respektivisht 25 dhe 20 pikë. Wizards siguruan një avantazh prej 7 pikësh brenda pjesës së parë të takimit, duke e bërë një mision të thjeshtë kalimin e Pistons.
Vëmendje të madhe mori ndërkohë përballja mes Phoenix Suns dhe Golden State Warriors, me këta të fundit që dolën të humbur nga Arizona, me rezultatin final 134-105. Phoenix mori një avantazh prej 8 pikësh që në periodën e parë, ndërkohë që tek Ëarriors filluan të reagonin në 12 minutat e dyta. Mirëpo ajo që ndoshta ndikoi në verdiktin e kësaj përballjeje ishte përjashtimi me dy faulla teknikë i Klay Thompson. Për herë të parë në karrierën e tij, në 651 ndeshje në NBA, Klay përjashtohet nga parketi dhe nga këtu, gjërat u bënë më të thjeshta për Suns. Devin Booker udhëhoqi skuadrën me 34 pikë të shënuara, ndërkohë që ndeshje të mirë bënë edhe DeAndre Ayton me 16 pikë e 14 ribaunde apo Chris Paul, i cili u ndal në 16 pikë, 7 ribaunde e 9 asiste.