NBA, Nets nuk ndalen as ndaj Wizards, Clippers ‘japin leksione’ për Celtics

Sport

Brooklyn Nets kanë gjetur ritmin e duhur në këtë sezon të NBA. Skuadra njujorkeze ka siguruar fitoren e katërt radhazi dhe të 17-ën në 29 ndeshje, pasi mposhtën 112-100 Washington Wizards. Nets morën nën kontroll takimin që në periodën e parë, të udhëhequr nga Kevin Durant e Kyrie Irving. I pari e mbylli me 30 pikë, 9 ribaunde e 6 asiste, ndërkohë që Irving u ndal në 24 pikë.

Janë rikthyer tek fitorja ata të Dallas Mavericks, që mposhtën 121-114 Oklahoma City Thunder. Ndeshja rezultoi të ishte mjaft e luftuar, me Oklahoman që si zakonisht, u mbështet tek Shai Gilgeous-Alexander. Kanadezi ishte shënuesi më i mirë i takimit me 42 pikë, por që nuk mjaftuan për të ndryshuar fatin e skuadrës së tij. Luka Doncic ishte më i miri për Dallasin, me 38 pikë, 11 ribaunde e 8 asiste, teksa edhe Spencer Dinwiddie kompletoi një ‘double-double’ me 20 pikë e 10 asiste.

Fitore të rëndësishme morën tek Portland Trail Blazers, që mposhtën një rival direkt për zonën ‘playoffs’ si Minnesota Timberwolves, me rezultatin 133-112. Damien Lillard bëri një ndeshje të madhe me 38 pikë të shënuara, duke qenë i saktë në plot 11 gjuajtje për 3 pikë. Kjo sfidë pa një përplasje të fortë mes dy qendrave, Jusuf Nurkic dhe Rudy Gobert. Boshnjaku i Portland shnëoi 14 pikë e siguroi 16 ribaunde, por e humbi duelin e drejtpërdrejtë me Gobert, që e mbylli me 16 pikë e 20 ribaunde, ndonëse nuk e ndihmuan Minnesota-n të rikthehej tek fitorja.

Ndeshje e rëndësishme ishte edhe ajo mes Los Angeles Clippers e Boston Celtics, që morën humbjen e dytë radhazi dhe të 7-ën në total në këtë sezon, me rezultatin 113-93. Dyshja Kawhi Leonard e Paul George siguruan që çdo gjë të shkonte si duhet për Clippers, duke shënuar respektivisht 25 dhe 26 pikë. Jaylen Broën ishte shënuesi më i mirë për Celtics me 21 pikë, ndërkohë që Tatum kompletoi një ‘double-double’ me 20 pikë e 11 ribaunde. Clippers morën avantazhin që në periodën e parë të takimit, duke e menaxhuar si duhet, me një mbrojtje të fortë të udhëhequr nga John Wall e Reggie Jackson.

Në përballjet e tjera, Miami Heat triumfoi 87-82 ndaj Indiana Pacers, ndërsa Memphis nuk ndalet as ndaj Atlanta Haëks, duke i mposhtur këta të fundit 128-103. Humbje e befasishme ndërkohë për Cleveland Cavaliers, që u ndalën në sekondat e fundit të sfidës me San Antonio Spurs, të mbyllur me rezultatin 112-111 në favor të teksanëve.