NBA, Nets dhe Timberwolves sigurojnë ‘PlayOff’-in; Cavaliers e Clippers kanë edhe një shans tjetër

Sport

Faza ‘Play-In’ në NBA ka dhënë dy verdiktet e para sa i përket këtij sezoni, me Brooklyn Nets dhe Minnesota Timberwolves që siguruan pjesëmarrjen e tyre në ‘PlayOffs’. Skuadra njujorkeze nuk e pati dhe aq të vështirë ndaj Cleveland Cavaliers, që i mposhtën 115-108. Në sfidën e trasmetuar në ‘Tring’, binte në sy dyshja Kyrie Irving e Kevin Durant. Irving ishte fenomenal në pjesën e parë, ku nuk gaboi as edhe një gjuajtje. Sfidën ndaj ish-skuadrës së tij, ai e mbylli me 34 pikë të shënuara e 12 asiste, teksa Durant u ndal në 25 pikë e 11 asiste.

Ndeshje të mirë tek Nets bëri edhe Bruce Broën, me 18 pikë, 9 ribaunde e 8 asiste, ndërkohë që Cavaliers mund të krenohen me 34 pikët e Darius Garland. Brooklyn kalon më tej si vendi i shtatë i ‘Konferencës së Lindjes’, ku e pret një seri mjaft e ndërlikuar në raundin e parë të fazës ‘PlayOffs’, pasi përballet me Boston Celtics. Sa i përket Cavaliers, skuadra nga Ohio ka edhe një shans tjetër për të qenë pjesë e fazës finale të sezonit, pasi do të diskutojë biletën e fundit në ‘Konferencën e Lindjes’ me fituesin e sfidës Charlotte Hornets – Atlanta Hawks.

Emocione të jashtëzakonshme ka dhuruar sfida mes Los Angeles Clippers e Minnesota Timberwolves. Skuadrat përplaseshin me njëra-tjetrën për të diskutuar vendin e shtatë të ‘Konferencës së Perëndimit’. Minnesota vinte e avantazhuar, pasi luante përpara publikut të vet në ‘Target Center’ të Minneapolis. Në fakt tifozët bënë një punë të shkëlqyer në mbështetje të skuadrës, që triumfoi 109-104.

Clippers kishin marrë masat e duhura sa i përket markimit të liderit të Timberëolves, Karl-Anthony Towns, por nuk kishin bërë llogaritë me D’Angelo Russell e Anthony Edwards. Në takimin që pa rezultatin të përmbysej disa herë, Russell realizoi 29 pikë, 5 ribaunde e 6 asiste, ndërkohë që Edwards shënoi 30 pikë, duke qenë i rëndësishëm edhe me 5 gjuajtje nga përtej harkut. Por paraqitje të madhe bëri edhe Patrick Beverly, i cili u shfaq fenomenal në fazën mbrojtëse. Tek Clippers u përpoqën të shfrytëzonin eksperiencën në një takim kaq delikat, teksa Paul George shënoi plot 34 pikë, por që nuk mjaftuan për të marrë një fitore. Minnesota kalon më tej dhe e pret një seri mjaft interesante ndaj Memphis Grizzlies. Kurse Clippers do të luaj edhe një shans tjetër me fituesin e sfidës San Antonio – New Orleans, përballje që njësoj si të gjitha sfidat e kësaj faze, mund t’a ndiqni vetëm në platformën ‘Tring’.