NBA, nëse fiton edhe të katërtën ndaj Clevelandit, Golden State do të hyjë në histori

Sport

gold
Golden State Warriors kanë shansin të çimentojnë një arritje historike nëse fitojnë edhe ndeshjen e katërt kundër Cleveland Cavaliers në finalet e NBA-it. Nën drejtimin e Steve Kerr Warriors synojnë titullin e tretë në katër vitet e fundit dhe janë vetëm një ndeshje larg kësaj arritjeje. Në Quicken Loans Arena të Clevelandit, vendasit do të përpiqen të bëjnë maksimumin për të thyer atë ters që i ka ndjekur prej rreth një viti kur vjen puna në përballjet me Golden State-in. Në fakt fitorja e fundit e Cavaliers daton 11 korrikun e vitit të kaluar dhe ishte e vlefshme për “Las Vegas Summer League”.

gs

Në një sezon të rregullt bëhet fiks 1 vit nga suksesi i fundit, që ishte gjithashtu në Quicken Loans dhe gjithashtu në një situatë të ngjashme. Golden State kryesonte 3-0 në finale dhe Clevelandi fitonte 137-116, Irving dhe James shënonin 71 pikë së bashku dhe vetë Mbreti e mbyllte me triple-double. Por gjërat janë ndryshe tani. Në Shtetet e Bashkuara po e lakojnë Golden State-in si një nga skuadrat më të mira në histori dhe nëse ata ja dalin ta mbyllin një finale me rezultat të pastër 4-0 askush s’mund të thotë më të kundërtën. Golden State do të mund t’i bashkohet 8 skuadrave që ia kanë dalë në këtë arritje. Hera e fundit që një finale është mbyllur 4-0 mban vitin 2007 kur Tim Duncan drejtonte San Antonion drejt titullit duke mundur pikërisht Clevelandin që sapo kishte marrë Lebron Jamesin.