NBA ndërhyn në çështjen ‘Lillard’

Sport

Prej disa javësh, tifozët e NBA presin të reja rreth të ardhmes së Damian Lillard, i cili në qershor kërkoi zyrtarisht largimin nga Portland Trail Blazers. Shumë skuadra janë të gatshme të bëjnë edhe sakrifica për të patur në skuadër një lojtar të kalibrit të Lillard, mirëpo vetë lojtari nuk u ka dhënë shumë mundësi drejtuesve të Portland. Lojtari e ka bërë të qartë se ai dëshiron të transferohet tek Miami Heat, një klub që i pëlqen shumë e ku gjën miq të afërt të tij si Bam Adebayo apo Jimmy Butler. Lillard dhe agjenti i tij Aaron Goodwin janë përpjekur në të gjitha mënyrat që t’i bëjnë skuadrat e tjera të kuptojnë se 33-vjeçari synon vetëm kalimin tek Miami dhe askund tjetër nuk do të ishte i lumtur. Kjo ka vënë në pozita të vështira ata të Portland Trail Blazers, që nuk kanë hapësira për të biseduar me skuadra të ndryshme rreth mundësive që do t’u paraqiten. Tani situatën kërkojnë ta qartësojnë edhe ata të NBA, që siç raportojnë mediat amerikane, kanë dërguar tek 30 skuadrat e ligës një letër ku iu sqarohet se çdo lojtar apo agjent e përfaqësues i tij, që kërcënojnë se nuk do të performojnë si duhet nëse nuk transferohen aty ku dëshirojnë, do të marrin ndëshkime disiplinore. Kjo ndërhyrje e NBA vjen pas raportimeve se agjenti i Lillard, Goodwin, ka komunikuar me disa klube të ndryshme të ligës, duke u shprehur dëshirën e klientit të tij për të luajtur vetëm me Miami Heat dhe në asnjë skuadër tjetër, nuk do të ishte i lumtur e as nuk do të përkushtohej në më të mirën e tij.

Si Lillard, edhe Goodwin, janë marrë në pyetje nga ana e komisionit të ligës në lidhje me raportimet se po kërcënonin skuadra të ndryshme për të mos e tentuar afrimin e lojtarit. Por që të dy e kanë refuzuar ta kenë bërë diçka të tillë, me Lillard që ka deklaruar se është shprehur për një dëshirë të tij për të luajtur tek Miami Heat në rrjetet sociale, por asgjë më tepër. Gjithësesi, me ndërhyrjen e ligës, të gjitha skuadrat do të kenë mundësinë të tentojnë, nëse e dëshirojnë diçka të tillë, afrimin e Damian Lillard, i cili nuk mund të bëjë asgjë tjetër, por vetëm të shpresojë që Miami Heat do të bindë ata të Blazers me ofertat e tyre.