NBA, Monty Williams firmos me Detroit Pistons një kontratë 6-vjeçare

Sport

Monty Williams ka rënë dakord të firmosë me skuadrën e Detroit Pistons, vetëm pak javë pasi u largua nga drejtimi i Phoenix Suns. Trajneri 51-vjeçar raportohet të ketë gjetur një marrëveshje 6-vjeçare me skuadrën nga ‘Konferenca e Lindjes’, nga ku do të përfitojë në total një shifër rekord prej 78,5 milionë dollarësh. Asnjëherë më parë në historinë e NBA, një trajner nuk ka firmosur një kontratë kaq fitimprurëse, me Williams që ka marrë besimin e drejtuesve të Pistons për projektin afatgjatë të klubit. Prej kohësh, skuadra nga Detroit ka nisur një proces rindërtimi, duke u përqëndruar tek talentet e reja në përzgjedhjet në ‘Draft’. Emra si Jaden Ivey apo Jalen Duren, të cilët ishin zgjedhjet 5 e 13 në ‘Draft’-in e 2022-shit, ka dhënë shenja mjaft të mira në sezonin debutues, duke rritur shpresat për një skuadër kompetitive në të ardhmen. Këtu duhet shtuar edhe Cade Cunningham, i cili ishte zgjedhja e parë në ‘Draft’-in e 2021-shit e që shihet si ndër ata që do të dominojë në rolin e tij në të ardhmen. Pjesë të skuadrës janë edhe emra si Isaiah Steëart, James Wiseman, Marvin Bagley dhe veterani Bojan Bogdanovic, i cili në sezonin që po mbyllim kishte një mesatare prej 21,6 pikësh për ndeshje, si asnjëherë më parë në karrierën e tij. Sa i përket ‘Draft-it të këtij viti, Pistons kanë mundësinë të bëjnë një tjetër afrim të rëndësishëm, pasi do të jenë të pestët në radhë për të bërë përzgjedhjen e tyre. Monty Williams ndërkohë merr drejtimin e Detroit pas katër viteve tek Phoenix Suns, ku u shkarkua pas eleminimit në fazën ‘playoffs’ nga Denver Nuggets. 51-vjeçari e mbylli me skuadrën nga Arizona me 194 fitore e 115 humbje në sezonin e rregullt, ndërkohë që në ‘playoffs’ regjistroi në total 27 fitore e 19 humbje. Në 2022-shin, ai u shpall si trajneri më i mirë i vitit, pasi më herët kishte udhëhequr skuadrën edhe në një ecuri rekord prej 64 fitoresh në sezonin e rregullt. Tek Pistons, ai do të marrë vendin e Dwane Casey, i cili pas 5 viteve, do të lërë vendin e trajnerit, për të marrë një rol drejtuesi po tek skuadra e Pistons.