NBA, Minnesota përmbys LA Lakers; Boston dhe Indiana, ‘një hap’ nga kualifikimi

Sport

Los Angeles Lakers, të cilësuar para fundit të sezonit të rregullt në NBA si favorit për titullin, janë vetëm një humbje larg eleminimit. Skuadrta kaliforniane u përmbys në takimin e katërt përballë Minnesota Timberëolves, që triumfuan 116-113 dhe tashmë u mjafton të fitojnë vetëm një nga tre ndeshjet e mbetura të serisë për të kaluar më tej. Luka Doncic dhe LeBron James dhanë përshtypjen e një dominimi të Lakers në pjesën e parë, me sllovenin që në total e mbylli me 38 pikë të shënuara, ndëkrohë që James, realizoi 27 pikë, 12 ribaunde e 8 asiste. Por tek Minnesota nuk hoqën dorë dhe të frymëzuar nga ylli kryesor i skuadrës, Anthony Edwards, ia dolën të kompletonin përmbysjen e madhe. 43 pikë, 9 ribaunde e 6 asiste nga ‘Ant man’, që i dha një mesazh të qartë Doncic dhe të gjithë skeptikëve ndaj tij.

Janë shumë pranë kualifikimit më tej Boston Celtics dhe Indiana Pacers, pasi tashmë udhëheqin seritë ndaj Orlando Magic dhe Milëaukee Bucks me rezultatin 3-1. Si Celtics, edhe Pacers morën fitore të rëndësishme në transfertë. Kampionët në fuqi mposhtën 107-98 Orlandon, me Jayson Tatum që shkëlqeu me 37 pikë e 14 ribaunde. Ndërsa Indiana fitoi në ‘shtëpinë’ e Milwaukee-t 129-103, duke shfrytëzuar edhe dëmtimin e Damian Lillard që në periodën e parë. Tani për Bucks, misioni për të kaluar më tej duket shumë i vështirë, ndërkohë që Indiana do të kërkojë të mbyllë llogaritë në takimin e radhës, që e luan në Indianapolis.

Fitore me peshë edhe për New York Knicks, që mposhtën 94-93 Detroit Pistons, në shtëpinë e këtyre të fundit, duke udhëhequr tanimë serinë 3-1. Sfida ishte mjaft e luftuar dhe e mbushur me polemika, sidomos në fundin e takimit, ku ata të Detroit pretenduan për një faull të paakorduar nga arbitri.