Milwaukee Bucks janë vetëm një fitore larg kalimit drejt finaleve të ‘Konferencës së Lindjes’, pasi siguruan një triumf me përmbysje ndaj Boston Celtics, me rezultatin 110-107. Kampionët në fuqi të NBA udhëheqin tashmë serinë 3-2 dhe do të kenë mundësinë ta mbyllin llogaritë në takimin e radhës në shtëpinë e tyre. Sa i përket sfidës në ‘TD Garden’, takimi nisi në një ritëm të mirë për të dyja skuadrat, por ishin vendasit e Celtics që siguruan një avantazh prej 7 pikësh deri në fundin e pjesës së parë.
Në periodën e tretë, Boston vijoi të ruante të njëjtin ritëm, por surpriza jo e këndshme për tifozët e tyre do të vinte në 12 minutat e fundit. Bucks vunë në punë eksperiencën e tyre dhe duke u mbështetur tek Giannis Antetokounmpo e Jrue Holiday. ‘The Greek Freak’ e mbylli takimin me 40 pikë të shënuara dhe 11 ribuande, ndërsa Holiday realizoi 24 pikë, 8 ribaunde dhe po aq asiste. Por numri 21 i Bucks do të ishte lojtari më i rëndësishëm i ndeshjes në sekondat e fundit, kur në dy momente mjaft vendimtare, u shndërrua në mbrojtësin më të mirë të ligës, pikërisht përballë atij që fitoi këtë çmim në sezonin e rregullt, Marcus Smart. Ky i fundit dështoi që të pasonte topin në aksionin e fundit tek njëri mes Jayson Tatum e Jaylen Brown, që supozohej të gjuanin për 3 pikë.
Janë rihapur llogaritë ndërkohë në serinë mes Memphis Grizzlies dhe Golden State Warriors, me këta të fundit që u nevojitet vetëm një fitore për të kaluar më tej. Memphis vinte edhe në këtë përballje pa shërbimet e yllit të ekipit, Ja Morant, por kishin rigjetur Steven Adams, që ndihmoi jo pak skuadrën në momentet e rotacionit.
Memphis e dominoi përballjen e luajtur ‘FedEx Forum’, duke e mbyllur me rezultatin e thellë 134-95. Desmond Bane, Jaren Jackson Jr. dhe Tyus Jones shënuan secili nga 21 pikë, ndërkohë që për Warriors, shënuesi më i mirë në parket ishte Klay Thompson me 19 pikë. Një paraqitje për t’u harruar ajo për lojtarët e trajnerit Steve Kerr, që tashmë do të provojnë të mbyllin serinë në takimin e radhës që do të luhet në shtëpinë e tyre, në San Francisco.