NBA, Milwaukee mposht Toronton dhe udhëheq finalen e ‘Konferencës së Lindjes’

Sport

Milwaukee Bucks kanë arritur një fitore të vështirë në fushën e tyre, teksa mundën në ndeshjen e parë të finales së ‘Konferencës së Lindjes’, skuadrën e Toronto Raptors. 108-100 ishte rezultati final i takimit, që fillimisht u dominua nga skuadra e Torontos. Kanadezët fituan periodën e parë të lojës me rezultatin 23-34, duke marrë një avantazh të konsiderueshëm. Por vendasit do t’ja dilnin të përmbysnin gjithçka, me periodën e fundit që u fitua nga Bucks me rezultatin e pjesshëm 32-17.


Për Toronto shkëlqyen Kawhi Leonard me 31 pikë dhe Kyle Lowry me 30 pikë, me dy yjet e skuadrës kanadeze që dhanë kontributin e tyre edhe në rikuperimin e topave nën tabelë. Lowry ishte fantastik sa i përket goditjeve për 3 pikë, ku ishte i saktë në 7 tentativa nga 9 në total që provoi 33-vjeçari. Ndërsa tek Milwaukee shënuesi më i mirë i ndeshjes ishte Brook Lopez me 29 pikë, kurse lideri i Bucks, Giannis Antetokounmpo u ndal në 24 pikë, 6 asiste dhe 14 rikuperime të topit nën tabelë. Në këtë mënyrë skuadra e Milwaukee ka marrë avantazhin e serisë së finales së ‘Konferencës së Lindjes’, me ndeshjen e dytë që do të zhvillohet përsëri në shtëpinë e tyre.