NBA, Milwaukee Bucks shkarkojnë trajnerin Mike Budenholzer

Sport

Mike Budenholzer nuk do të jetë më trajneri i Milwaukee Bucks. Skuadra nga Wisconsin ka vendosur të shkarkojë nga detyra 53-vjeçarin, pas eleminimit të papritur në raundin e parë të fazës ‘playoffs’ nga Miami Heat. Milwaukee Bucks vinin si favoritë për t’i shkuar deri në fund rrugëtimit të këtij sezoni në NBA, por hasën në një telash më të madh se sa kishin menduar ndaj Miami Heat, që nën udhëheqjen e Jimmy Butler, ia dolën të fitonin serinë ndaj Giannis dhe të tjerëve. Lajmin për shkarkimin e Budenholzer e ka zyrtarizuar drejtori i përgjithshëm i klubit, Jon Horst, që e përshkroi si një vendim shumë të vështirë, por që është parë si i nevojshëm në këtë moment. Me anë të Jon Horst, Bucks falenderuan Budenholzer për punën e bërë në Milwaukee në këto 5 sezone që ka drejtuar skuadrën, me kulmin që u arrit në 2021-shit, tek arritja e titullit kampion. Budenholzer në fakt do të kujtohet gjithnjë si trajneri që arriti t’i sillte sërish titullin skuadrës nga Wisconsin pas plot 50 vitesh, në një sezon ku nuk shiheshin si favoritët kryesorë. Ai kishte edhe dy vite kontratë me Bucks, nga ku do të përfitojë rreth 16 milionë dollarë, ndërkohë që ende nuk ka një emër konkret për atë që mund ta zëvendësojë. Për momentin nuk ka asgjë konkrete dhe mediat nuk do të surprizoheshin nëse drejtuesit e Bucks vendosin të shkojnë me një emër jo shumë të njohur. Megjithatë, për të ruajtur standartin e lartë që skuadra ka vendosur gjatë sezoneve të fundit, duhet që në krye të vijë një emër me peshë, në mbështetje të Giannis Antetokounmpo, që mbetet qendra e projektit. Budenholzer mbyll kështu një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij, teksa u konsiderua si përgjegjësi kryesor i eleminimit të Bucks nga Miami Heat këtë sezon, për shkak të vendimmarrjes së dobët në ndeshjen e katërt e të pestë, që rezultatuan fatale për ekipin e tij.