NBA, Miami siguron finalen e ‘Konferencës së Lindjes’; Dallas shtyn serinë ndaj Phoenix në ndeshjen e shtatë

Sport

Miami Heat janë skuadra e parë e këtij sezoni të NBA që siguron kalimin drejt finaleve të ‘Konferencës’, teksa mbylli në shifrat 4-2 serinë ndaj Philadelphia 76ers. Në takimin e gjashtë mes tyre, Sixers vinin përpara tifozëve në ‘Wells Fargo Center’ duke e ditur që nuk lejoheshin më gabimet, por hasën në një Miami që e kishte përgatitur ndeshjen në mënyrë të përkryer.

Të besuarit e trajnerit Spoelstra bënë një paraqitje të jashtëzakonshme, duke dominuar takimin e duke siguruar fitoren 99-90. Jimmy Butler bëri liderin për Heat, me 32 pikë e 8 ribaunde, ndërsa habiti me performancën e tij, Max Strus, që kompletoi një ‘double-double’ me 20 pikë e 11 ribaunde. Tek Sixers, shënuesit më të mirë ishin Tyrese Maxey me 20 pikë dhe Joel Embiid, që veç 20 pikëve, fitoi edhe 12 duele për topin nën tabelë.

Zhgënjeu krejtësisht James Harden, që shënoi vetëm 11 pikë. ‘The Beard’ supozohej të ishte më shumë se i rëndësishëm në këtë përballje për Philadelphia-n, por hasi në një mbrojtje të përgatitur mirë ndaj tij, teksa në pjesën e dytë të lojës, nuk shënoi as edhe 1 pikë. Kështu, Miami respekton pritshmëritë si vendi i parë i sezonit të rregullt në ‘Konferencën e Lindjes’ dhe siguron finalen, në pritje të verdiktit të serisë mes Milwaukee Bucks e Boston Celtics.

Vazhdon të jetë shumë e ashpër beteja në ‘Konferencën e Perëndimit’, ku Dallas Mavericks triumfuan në takimin e gjashtë ndaj Phoenix Suns me rezultatin 113-86, duke çuar serinë drejt sfidës së shtatë. Përpara publikut të tyre në ‘American Airlines Center’, Mavericks bënë një ndeshje të madhe, të udhëhequr nga i zakonshmi Luka Doncic. Slloveni shënoi 33 pikë, fitoi 11 duele për topin nën tabelë, si dhe shërbeu 8 asiste, duke qenë pranë realizimit të një ‘triple-double’.

Ndeshje të mirë për teksanët bënë edhe Reggie Bullock me 19 pikë e Jalen Brunson me 18, kurse Dinwiddie ishte i rëndësishëm me 5 gjuajtje të sakta për 3 pikë. Tek Phoenix dalluan DeAndre Ayton me 21 pikë e 11 ribaunde, apo Devin Booker, që shnëoi 19 pikë, por që ishte larg përqindjes së zakonshme të realizimit. Takimi që do të vendosë fituesin e kësaj serie do të luhet në ‘Footprint Center’ në Arizona, ku Phoenix do të ketë mbështetjen e tifozëve të tyre në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit deri më tani.