Miami Heat kanë respektuar faktorin fushë dhe kanë triumfuar në ndeshjen e pestë të serisë me Philadelphia 76ers, pasi i mposhtën 120-85. Skuadra e trajnerit Spoelstra kishte përgatitur takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shfaqur cilësi të madhe në fazën mbrotjëse. Miami mori kontrollin e ndeshjes që në periodën e parë, ku siguruan një avantazh prej 12 pikësh. Sixers nuk ia dolën do të reagonin dhe në periodën e katërt, u dorëzuan ndaj forcës së Miami-t.
Shqetësimi më i madh për Philadelphia-n ishte dëmtimi i Joel Embiid, i cili mori një goditje në fytyrë, teksa ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi i mëparshëm. Kamerunasi gjithësesi u përpoq ta mbyllte ndeshjen në parket, por nuk realizoi më shumë se 17 pikë e 5 ribaunde. Zhgënjeu James Harden, që nuk shënoi më shumë se 13 pikë, teksa për Miami-n, më të mirët ishin Jimmy Butler me 23 pikë, 9 ribaunde e 6 asiste dhe Max Strus me 19 pikë e 10 ribaunde. Heat tashmë udhëheqin serinë 3-2, me Philadelphia-n që do të ketë mundësinë të përgjigjet në sfidën e radhës në ‘Wells Fargo Center’.
Phoenix Suns po ashtu kanë triumfuar në ndeshjen e pestë të serisë ndaj Dallas Mavericks, duke dominuar në parketin e tyre me rezultatin 110-80. Devin Booker dhe DeAndre Ayton udhëhoqën skuadrën në këtë përballje me shumë peshë. I pari realizoi 28 pikë, teksa gjigandi nga Bahamasi e mbylli me 20 pikë e 9 ribaunde. Tek Dallas, ata që shënuan më shumë si zakonisht ishin Jalen Brunson me 21 pikë e Luka Doncic, që veç 28 pikëve, fitoi edhe 11 duele për topin nën tabelë.
Diferencat në këtë përballje u bënë vetëm në periodën e tretë, që Suns e fituan me rezultatin e pjesshëm 33-14. Ata të Mavericks u përpoqën të rikuperonin me goditjet për 3 pikë, por ndryshe nga takimi i katërt i serisë, këtë herë nuk kishin saktësinë e duhur. Kështu, për skuadrën e trajnerit Jason Kidd, lind nevoja për të bërë një tjetër performancë të madhe në prani të publikut të tyre, në mënyrë që ta zhvendosin serinë në ndeshjen e shtatë.