NBA, Miami në finale; Heat mposhtën Celtics në ndeshjen e shtatë

Sport

Për herë të shtatë në historinë e tyre, Miami Heat do të jenë në finalen e madhe të NBA. Skuadra e trajnerit Erik Spoelstra ia ka dalë mbanë të triumfojë në ndeshjen e shtatë të serisë ndaj Boston Celtics, duke i mundur këta të fundit përpara tifozëve të tyre, në ‘TD Garden’, me rezultatin 103-84. Celtics kërkonin të bënin realitet për herë të parë në histori përmbysjen nga 3-0 në 3-4 dhe vinin me moralin lart në parketin e tyre. Mirëpo ata të Heat kanë zhvilluar një ndeshje perfekte, duke marrë avantazhin në fundin e periodës së parë, për ta menaxhuar në mënyrë perfekte deri në fund. Në periodën e katërt, Heat dominuan duke e çuar avantazhin në më shumë se 20 pikë, çfarë bëri që Celtics të dorëzoheshin. Jimmy Butler bëri liderin për skuadrën e tij, me 28 pikë të shënuara, 7 ribaunde e 6 asiste, mirëpo vendimtar në këtë ndeshje ishte Caleb Martin. Edhe njëherë tjetër, 27-vjeçari rezultoi ‘asi nën mëngë’ për trajnerin Spoelstra, që mori më të mirën nga lojtari i tij në 45 minuta që Martin qëndroi në parket. Ai e mbylli me 26 pikë të shënuara, rekord karriere në fazën ‘playoffs’, teksa ishte i saktë në 4 gjuajtje nga 6 tentativa nga përtej harkut, ndërkohë që regjistroi një ‘double-double’ edhe me 10 ribaunde. ‘Double-double’ po ashtu për Bam Adebayo, me 12 pikë e 10 ribaunde, kurse tek Celtics, shënuesi më i mirë ishte Jaylen Brown me 19 pikë. Por lojtari i Celtics ishte protagonist negativ për ekipin e tij me 8 ‘turnovers’, më shumë se sa e gjithë skuadra e Miami, kurse Tatum pësoi një dëmtim në fillimin e ndeshjes, që nuk e la të shprehej në maksimumin e tij.

Miami bëhet kështu skuadra e dytë që shkon në finalen e madhe si vendi i tetë në sezonin e rregullt, njësoj si Neë York Knicks në vitin 1999. Gjithashtu, Heat janë i pari klub që arrin finalet, duke e nisur nga faza ‘play-in’, teksa Jimmy Butler u shpall me meritë ‘MVP’ i serisë ndaj Celtics. Për të mbërritur tek trofeu i kampionit, Miami duhet të mposhtë në finale Denver Nuggets, të udhëhequr nga Nikola Jokic e Jamal Murray, me ndeshjen e parë që ‘do të marrë jetë’ të premten e 2 qershorit, në orën 02:30.