Miami Heat ka ndalur vrullin e performancave të mira të Philadelphia 76ers, duke fituar një ndeshje mjaft të luftuar në transfertë, me rezultatin 101-99. Loja nisi mirë për ekipin e trajnerit Spoelstra, duke siguruar një avantazh prej 8 pikësh deri në fundin e pjesës së parë. Philadelphia u përpoq të reagonte, duke ngushtuar distancën në periodën e tretë. Në fund, një lëvizje mjaft e vështirë e Jimmy Butler rezultoi vendimtare për skuadrën e Miami, që ia del të marrë fitoren e 33-të për këtë sezon, duke konsoliduar pozitat në zonën ‘play-in’. Jimmy Butler ishte shënuesi më i mirë për Heat me 23 pikë, aq sa shënoi edhe Tyrese Maxey për Philadelphia-n. Sixers panë një performancë të mirë nga dyshja Joel Embiid – James Harden, por që nuk mjaftoi për të marrë fitoren. Kamerunasi shënoi 27 pikë dhe rikuperoi 12 topa nën tabelë për një double-double’, njësoj si dhe ‘the beard’, që u ndal në 20 pikë e 12 asiste.
Humbje që ‘djeg’ për Boston Celtics në ‘Madison Square Garden’. Kryesuesit e ‘Konferencës së Lindjes’ u mposhtën 109-94 nga New York Knicks, në një takim të dominuar nga ana e vendasve. Knicks morën një avantazh prej 12 pikësh brenda periodës së parë, çfarë i bëri gjërat shumë të thjeshta për trajnerin Tom Thibodeau. Immanuel Quickley dhe Julius Randle ishin shënuesit më të mirë të sfidës me nga 23 pikë secili, ndërkohë që Malcolm Brogdon ishe lideri i Boston-it në këtë aspekt, me 22 pikë. Në fund të takimit, lideri i Celtics, Jayson Tatum u pa të humbte qetësinë, teksa për shkak të protestave, u përjashtua nga loja.
Në takimet e tjera, New Orleans Pelicans dështuan në shtëpi ndaj Orlando Magic, të cilët edhe pse luajnë pa ndonjë objektiv madhor, triumfuan 101-93. Paolo Banchero ishte ai që bëri diferencën, duke qenë shënuesi më i mirë në parket me 29 pikë. Ndërsa Charlotte Hornets triumfuan 117-106 ndaj Detroit Pistons, por humbën shërbimet e LaMelo Ball, i cili pësoi një tjetër dëmtim të rëndë.