NBA, Miami dhe Utah fitojnë në limite; Mavericks mposhten nga Clippers

Sport

Miami Heat janë rikthyer tek fitorja, pasi mposhtën në sekondat e fundit të ndeshjes Oklahoma City Thunder, me rezultatin e ngushtë 112-111. Përpara publikut të tyre në ‘FTX Arena’, Miami u frymëzua tek paraqitja e Jimmy Butler, i cili ishte edhe njeriu vendimtar në fund të takimit. 12 sekonda nga fundi, ylli i Heat realizoi në një aksion të vështirë në zonë, duke fituar edhe një gjuajtje të lirë, që do të bënte diferencën në rezultat. Ai rezultoi edhe shënuesi më i mirë i ndeshjes me 35 pikë, ndërkohë që ylli i Oklahomas, Shai Gilgeous-Alexander, u ndal në kuotën e 26 pikëve.
Triumf në limite edhe për Utah Jazz, që mposhtën 116-114 Cleveland Cavaliers. Në rikthimin e tij në Salt Lake City, Donovan Mitchell bëri një ndeshje të madhe, duke u shfaqur si lideri i Cavaliers, me 46 pikë të shënuara. Tek Utah gjithësesi i shpërndanë më mirë pikët, me Clarkson e Markkanen si shënuesit më të mirë, me 32 e 25 pikë. Për Utah, kjo ishte vetëm fitorja e dytë në 9 ndeshjet e fundit, ndërkohë që Cavaliers kanë zbritur pas kësaj disfate në vendi ne pestë të ‘Konferencës së Lindjes’.
Ndeshje me emocione ishte edhe ajo mes Dallas Maverics e Los Angeles Clippers, me këta të fundit që triumfuan me rezultatin 113-101. Loja nisi mjaft mirë për kalifornianët që siguruan avantazhin brenda periodës së parë. Deri në fundin e të dytës, ky avantazh u thellua në 22 pikë, çfarë i bëri gjërat shumë të thjeshta për Kawhi Leonard dhe pjesën tjetër të Clippers. Lideri i kalifornianëve e mbylli sfidën me 33 pikë e 9 ribaunde, ndërsa ata të Mavericks krenohen me paraqitjen e Luka Doncic, me 43 pikë, 11 ribaunde e 7 asiste.  Nuk ka shkuar ashtu siç mendohej rikthimi i Steph Curry për Golden State Warriors, që u mposhtën në shtëpinë e tyre nga Phoenix Suns 125-113. Edhe pse patën dy shënuesit më të mirë të takimit me Klay Thompson e Jordan Poole që së bashku realizuan 56, kampionët nuk ia dolën të ruanin ritmin e mirë të javës që lamë pas. Portland mori një tjetër goditje, këtë herë në shtëpi, nga Orlando Magic, që triumfuan 109-106. Ndërsa Philadelphia e Toronto bënë detyrën, duke mposhtur respektivisht Detroit Pistons e Charlotte Hornets, çfarë përkthehet në pozicione të fituara në renditje për skuadrat e ‘Konferencës së Lindjes’.