NBA, Memphis triumfon ndaj Golden State; Sacramento vazhdon të befasojë

Sport

Memphis Grizzlies kanë siguruar një fitore me peshë ndaj Golden State Warriors. Përpara tifozerisë së tyre, Grizzlies triumfuan 131-110, në një takim që mori drejtimin e duhur për ta që në periodën e parë. Edhe pse luanin pa Ja Morant, lojtarët e trajnerit Taylor Jenkins e nisën furishëm, duke siguruar një avantazh prej 20 pikësh që në 12 minutat e para. Ata të Warriors u përpoqën të reagonin, por përpjekjet e Steph Curry-t nuk mjaftuan. Lideri i kampionëve në fuqi realizoi 29 pikë, duke qenë më i miri në këtë aspekt, ndërkohë që tre lojtarë të Memphis e kaluan kuotën e 20 pikëve. Me këtë fitore, Grizzlies rikthehen në vendin e dytë të ‘Konferencës së Perëndimit’, ndonëse janë në kuotë të barabartë fitoresh me Sacramento Kings.
Këta të fundit vazhdojnë të mahnisin me paraqitjet e tyre, duke mposhtur 122-117 New York Knicks. Sacramento arriti të merrte një avantazh prej 16 pikësh në pjesën e parë, duke e bërë më të lehtë menaxhimin e takimit. Domantas Sabonis regjistroi një ‘triple-double’, me 24 pikë, 13 ribaunde e 10 asiste, ndërkohë që ylli tjetër i Kings, De’Aaron Fox, u ndal në 23 pikë e 7 asiste. Për Knicks, më i miri ishte kanadezi RJ Barrett, me 25 pikë të shënuara, me ekipin njujorkez që nuk ia doli të triumfonte, pavarësisht rikthimit në parket të Jalen Brunson.

Vazhdojnë serinë e fitoreve ata të Milwaukee Bucks, që edhe pse luanin pa Giannis Antetokounmpo, triumfuan 118-113 ndaj Brooklyn Nets. Në ‘Fiserv Forum’ nuk pati diskutime për fitoren, pasi vendasit ia dolën të merrnin një avantazh prej 17 pikësh që në periodën e parë. Bobby Portis me 28 pikë e 13 ribaunde, regjistroi një ‘double-double’, njësoj si edhe Brook Lopez, që u ndal në 24 pikë e 10 ribaunde.

Janë rikthyer tek fitorja edhe ata të Utah Jazz, që pas 4 humbjeve radhazi, mposhtën 131-124 Orlando Magic. Lauri Markkanen bëri liderin për ekipin nga ‘Konferenca e Perëndimit’, me finlandezin që ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, me 31 pikë.