NBA, Manu Ginobili i jep lamtumirën basketbollit

Sport

manu
Është mbyllur në moshën 41-vjeçare karriera e basketbollistit argjentinas Manu Ginobili, që pas 16 sezonesh në NBA, ka vendosur të tërhiqet nga sporti. Lajmin e ka konfirmuar vetë Ginobili përmes një postimi në “Twitter”. Por për shumë tifozë ky vendim i tij ka qenë disi i papritur, pasi argjentinasi kishte edhe një vit kontratë me Spurs. Ai ka fituar me skuadrën e San Antonio 4 tituj kampionë në NBA, në vitet 2003, 2005, 2007 dhe 2014. Ginobili gjithasthu ka fituar edhe medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Athinë 2004” dhe medaljen e bronztë në “Pekin 2008”. Argjentinasi ka fituar edhe një titull në Euroleague me ekipin e Virtus Bologna në vitin 2001, para se të transferohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Basketbollisti argjentinas është pjesë e rëndësishme e historisë së ekipit të San Antonios, ku ka luajtur 1057 ndeshje dhe ka realizuar në total 14.043 pikë. 

ginobili
“Sot, mes një keqardhje të madhe dhe mes shumë trishtimi dhe emocionesh, ju bëj me dije se kam marrë vendimin për t’u larguar nga basketbolli. I falënderoj të gjithë, familjen time, miqtë, shokët e skuadrës, trajnerët e fansat, të gjithë ata që janë përfshirë në jetën time në 23 vitet e fundit. Ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm, që ka tejkaluar të gjitha parashikimet e ëndrrat e mia më të shfrenuara”, shkruante në postimin e tij Manu Ginobili. Tashmë tek skuadra teksane e Spurs kanë filluar punën për të gjetur një zëvendësues të argjentinasit, që kishte një peshë të madhe në skuadër. Alternativat nuk mungojnë, por sipas mediave përtej Atlantikut, tek San Antonio do të kërkojnë një zgjidhje me një kosto sa më të ulët.