NBA, Los Angeles Lakers firmos me Dennis Schroder për një vit

Sport

Paraqitjet e mira të bëra gjatë europianit të basketbollit, por edhe marrëdhënia e mirë me trajnerin Darvin Ham, ka bërë që Dennis Schroder të bëjë një rikthim tek Los Angeles Lakers. Drejtuesit e skuadrës kaliforniane, të udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm, Rob Pelinka, kanë zyrtarizuar arritjen e një marrëveshjeje me basketbollistin gjerman, që bën një rikthim të tij tek Lakers. Schroder do të firmosë një kontratë 1-vjeçare, nga ku do të përfitojë një pagë prej veterani, 2,64 milionë dollarë. Situatë e çuditshme për Schroder, i cili në verën e 2021-shit, refuzoi një ofertë 4-vjeçare me Lakers, ku do të përfitonte rreth 84 milionë dollarë, me pretendimin e lojtarit se merionte më shumë. Vetëm 1 vit më vonë, 29-vjeçari rikthehet tek kalifornianët, me një pagë shumë të ulët. Trajneri i ri i Lakers-ave, Darvin Ham është një nga arsyet kryesore prej Schroder rikthehet të luajë në ‘Staples Center’. Të dy kanë punuar së bashku për 5 sezone në radhët e Atlanta Haëks, prandaj dinë se si të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

Sezonin e shkuar në NBA, Dennis Schroder u aktivizua fillimisht si pjesë e Boston Celtics, me të cilët firmosi një kontratë 1-vjeçare, me një pagë prej 5,9 milionë dollarësh. Në mesin e sezonit, ai u transferua tek Houston Rockets, si pjesë e shkëmbimit për Daniel Theis. Në radhët e teksanëve, organizatori gjerman luajti vetëm 15 ndeshje, duke bërë tashmë kalimin tek Lakers si lojtar i lirë. 29-vjeçari bëri paraqitje mjaft të mira me kombëtaren e tij në ‘EuroBasket’, duke e udhëhequr skuadrën si lider deri në vendin e tretë të kompeticionit.