Për herë të gjashtë në historinë e fazës ‘playoffs’, skuadra e vendit të tetë ka eleminuar në raundin e parë vendin e parë të sezonit të rregullt, teksa Miami Heat mbylli diskutimin në serinë ndaj Milwaukee Bucks. Skuadra nga Wisconsin shihej si në fillim të kësaj serie si favorite për të shkuar deri në finalen e madhe, mirëpo kanë marrë një mësim nga Miami Heat, që fituan ndeshjen e pestë të serisë. Këtë herë në ‘Fiserv Forum’ ishte e nevojshme të luhej në kohën shtesë për të përcaktuar fituesin, me ekipin e Spoelstra-s që triumfoi 128-126. Loja ishte mjaft e balancuar, me Bucks që po provonin të respektonin pritshmëritë e tifozëve të tyre. Në sekondat e fundit të kohës së rregullt, ishte Jimmy Butler që barazoi gjithçka me një gjuajtje thuajse të pamundur. Butler dhuroi një tjetër performancë të madhe, me 42 pikë të shënuara e 8 ribaunde, në plot 46 minuta që qëndroi në parket. Ndeshje të mirë bënë edhe Gabe Vincent me 22 pikë, apo Bam Adebayo, që kompletoi një ‘triple-double’ me 20 pikë, 10 ribaunde e po aq asiste. Tek Bucks, më i miri ishte sërish Giannis Antetokounmpo, me 38 pikë e 20 ribaunde, por nuk ia doli të udhëhiqte skuadrën në aksionin e fundit të kohës shtesë, ku u ndal nga një mbrojtje e shkëlqyer e Miami-t.
Edhe New York Knicks kanë arritur të mbyllin serinë ndaj Cleveland Cavaliers, duke triumfuar në ndeshjen e pestë, të luajtur në Ohio, me rezultatin 106-95. Knicks morën një avantazh të lehtë që në fillim të sfidës, ndërkohë që Cleveland provoi të rihapte gjithçka vetëm në pjesën e dytë. Jalen Brunson bëri liderin me 23 pikë të shënuara, 2 më shumë se sa kanadezi RJ Barrett. Për Cavaliers, Donovan Mitchell provoi të bënte diferencën me 28 pikë, por sërish doli i zhgënjyer nga faza ‘playoffs’. Kjo ishte vetëm hera e tretë në shekullin e 21 që skuadra e Knicks, ia del mbanë të kalojë raundin e parë të fazës finale të sezonit. Miami Heat dhe New York Knicks do të përballen me njëra-tjetrën në gjysmëfinalet e ‘Konferencës së Lindjes’, ku i vetmi diskutim mbetet mes Boston Celtics dhe Atlanta Haëks, me Philadephia që pret të mësojë kundërshtarin e radhës