Ashtu siç ishte aluduar kohë më parë, LeBron James do të jetë nga sezoni i ardhshëm pjesë e Los Angeles Lakers. Tashmë gjithçka është zyrtare dhe të parët që kanë konfirmuar lajmin ka qenë “Klutch Sports Group”, që merret edhe me menaxhimin e karrierës së James. Me Lakers, 33-vjeçari ka firmosur një kontratë që do ta mbajë në “Konferencën e Perëndimit” për 4 vitet e ardhshme. James do të përfitojë nga kjo lëvizje rreth 153.3 milionë dollarë në total, çfarë do të thotë shumë për një basketbollist në moshën e tij. Kjo lëvizje e James do të ndezë edhe më shumë rivalitetin në “Konferencën e Perëndimit”, ku tashmë veç Golden State Warriors dhe Houston Rockets, do të rikthehen me pretendime të mëdha edhe Los Angeles Lakers.
Tek Cleveland nga ana tjetër e prisnin diçka të tillë dhe vetë pronari i Cavaliers, Dan Gilbert ka falenderuar James për kontributin e tij dhe që riktheu skuadrën e tij të fëmijërisë tek titulli kampion pas plot 52 vitesh. Shokët e rinj të skuadrës janë të emocionuar për ardhjen e një lideri ndërsa mesazhe ka edhe nga legjendat e Lakers, si Kobe Bryant apo Kareem Abdul-Jabbar. Tashmë sytë e tifozëve të Lakers janë nga Teksasi, ku presin transferimin e një tjetër ylli të NBA, LaMarcus Aldridge. Pas refuzimit të Paul George, ardhja e Aldridge shihet si e domosdoshme për kompletimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.