Pavarësisht se Cleveland u shkatërrua në finale nga Golden State, kjo nuk lë në hije performancat e jashtëzakonshme të “Mbretit” James përgjatë këtij sezoni të NBA.
Nga 1 korriku LeBron James do të jetë lojtar i lirë, duke e lënë të hapur të ardhmen e tij. Mediat amerikane bëjnë me dije se ylli i Cleveland Cavaliers ka planifikuar 7 takime me përfaqësues nga 7 skuadra të ndryshme, në të dyja “Konferencat”, para se të vendosë se me cilin ekip do të luajë sezonin e ardhshëm. Skuadra aktuale, ajo e Cavaliers do të ketë përparësinë në këto takime, duke qenë se është në kontakte me James, ndërsa skuadrat e tjera që kanë lënë takim një nga yjet më të mëdhenj të kësaj dekade në basketboll janë Golden State Warriors, Boston Celtics, Philadelphia 76ers , Los Angeles Lakers, Houston Rockets dhe Miami Heat.
Një afrim tek Golden State mund t’i jepte James garancinë për të fituar ndoshta një tjetër titull në karrierë, ndërsa tek Boston ai do të ribashkohej me Kyrie Irving. Megjithatë, siç raportohet së fundmi, ajo që e josh më shumë 33-vjeçarin është oferta e Los Angeles Lakers, një emër legjendar ku James mund të mbyllë karrierën e tij.