LeBron James nuk ka ndërmend të ndalet. Ylli i Cleveland Cavaliers dhuroi një performancë të jashtëzakonshme teksa i dha fitoren 128-110 skuadrës së tij në ndeshjen e dytë kundër Toronto Raptors. 43 pikë, 14 asiste dhe 8 zotërime të topit nën tabelë ishin shifrat e “Mbretit” James në këtë takim, që lë pas vetes shokun e skuadrës, Kevin Love, që realizoi 31 pikë dhe fitoi 11 duele për topin nën tabelë. Tek Toronto, DeMar DeRozan nuk u pa të ishte në formë dhe realizoi vetëm 24 pikë e 3 asiste.
Kyle Lowry, Valanciunas dhe Fred VanVleet u përpoqën të shmangnin humbjen, por ishin të pamjaftueshëm për të ndalur furinë e LeBron James. Kështu seria mes këtyre dy skuadrave tashmë shënon 2-0 në favor të Cleveland, që duket se ka gjetur ritmin për të arritur finalen.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Boston Celtics mposhtën 108-103 Philadelphia 76ers. Jason Tatum me 21 pikë dhe Terry Rozier me 20 pikë, 9 asiste dhe 7 zotërime të topit nën tabelë ishin vendimtarë në këtë triumf të skuadrës nga Masaçusets, që tashmë udhëheq serinë ndaj Philadelphias 2-0.