Situata e acaruar mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atletëve profesionistë përtej Atlantikut nuk ka ndërmend të ulet. Pak ditë më parë, “Shtëpia e Bardhë” lajmëroi mbajtjen e një eventi për festuar me kampionët e NFL, Philadelphia Eagles. Mirëpo ditën e martë, vetë Donald Trump anuloi gjithçka, duke rindezur situatën me sportistët amerikanë. Në konferencën për shtyp ai nuk iu përgjigj asnjë pyetje në lidhje me këtë çështje, ndërsa burime pranë shtëpisë më të famshme në Amerikë shprehen se ky vendim i presidentit vjen për shkak të mosrespektimit të himnit amerikan nga skuadrat e NFL. Por nuk ka vonuar edhe reagimi i një prej sportistëve më të famshëm dhe më të dashur përtej Atlantikut, siç është LeBron James.
Ylli i Cavaliers në NBA ka deklaruar se pavarësisht se kush skuadër fiton finalen e këtij sezoni, Cleveland apo Golden State, asnjëra prej tyre nuk do të shkojë në takimin me presidentin e vendit Donald Trump. Në një linjë duket të jetë edhe lideri i Warrios, Steph Curry, që mbështet deklaratën e kundërshtarit të tij në finalen e madhe të NBA. Kjo nuk është hera e parë që yjet e basketbollit amerikan mbështesin sportistët e tjerë në lidhje më protestat ndaj racizmit të bëra para ndeshjeve të NFL. Edhe më parë James ka folur ashpër ndaj presidentit amerikan në lidhje më këtë çështje, pasi sipas tij është Trump që ngatërron protestat e sportistëve me mosrespektimin e himnit apo ushtarëve amerikanë, siç thotë numri 1 i “Shtëpisë së Bardhë”.