NBA, LeBron fiton sfidën e parë ndaj Curry; Knicks barazojnë serinë me Miami Heat

Sport

Los Angeles Lakers vijojnë të bëjnë surprizën në këtë sezon të fazës ‘playoffs’ në NBA. Pasi eleminuan Memphis Grizzlies në raundin e parë, Lakers i kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme gjysmëfinalet e ‘Konferencës së Perëndimit’, duke triumfuar 117-112 ndaj Golden State Warriors, në shtëpinë e këtyre të fundit. Takimi ishte mjaft i balancuar gjatë pjesës së parë, me Lakers që u mbështetën kryesisht tek Anthony Davis. Në periodën e tretë, skuadra e trajnerit Darvin Ham mori një avantazh prej 8 pikësh dhe shtuan presionin ndaj kampionëve në fuqi. Warriors u përpoqën të reagonin me gjuajtjet për 3 pikë. Jordan Poole mund të kishte barazuar gjithçka në sekondate fundit, por gaboi me tentativën nga një distancë e largët. Davis ishte padyshim lojtari më i mirë në parket me 30 pikë, 23 ribaunde e 5 asiste, duke dominuar poshtë koshit, si në fazën mbrojtëse, edhe në sulm. Për Warriors, më të mirët ishin Stephen Curry me 27 pikë dhe Klay Thompson me 25, por që nuk e shmangën zhgënjimin e tifozëve në San Fransisco. LeBron James po ashtu e mbylli me ‘double-doule’, me 22 pikë e 11 ribaunde dhe Lakers marrin në këtë mënyrë avantazhin e serisë.

Në ‘Konferencën e Lindjes’, New York Knicks kanë fituar takimin e dytë ndaj Miami Heat, duke barazuar rezultatin e serisë në 1-1. Me rikthimin e Julius Randle në parket, Knicks triumfuan 111-105 në sfidën e dytë në ‘Madison Square Garden’. Randle dha një kontribut të rëndësishëm për skuadrën e tij, me 25 pikë, 12 ribaunde e 8 asiste. Shënuesi më i mirë në parket ishte Jalen Brunson me 30 pikë, ndërkohë që tek Miami, luanin pa yllin e tyre, Jimmy Butler. Trajneri Spoelstra nuk rrezikoi për ta hedhur në lojë të dëmtuar Butler dhe u mbështet tek lojtarë si Adebayo apo Gabe Vincent. Miami ia doli të bënte sërish një paraqitje të mirë, madje duke marrë avantazhin deri në fundin e pjesës së parë. Knicks do të bënin diferencën vetëm në periodën e katërt, ku Randle e Brunson dominuan ndaj kundërshtarëve. Tani seria mes Knicks e Heat do të zhvendoset në Florida, ku me rikthimin e Butler, atë të Miami do të përpiqen të bëjnë një hap drejt kualifikimit.