NBA, LaMelo Ball mbyll sezonin me Charlotte Hornets

Sport

Edhe pse tashmë sezoni i tyre mund të konsiderohet i mbyllur, pasi nuk mund të mbërrijnë dot tek faza ‘playoffs’, tek Charlotte Hornets kanë marrë lajmin se pjesën e mbetur të ndeshjeve, do t’i zhvillojnë pa yllin e tyre kryesor, LaMelo Ball. 23-vjeçari ka probleme me dy dëmtime të ndryshme, që do të marrin kohën e duhur për rikuperim, por ajo se çfarë i shqetëson drejtuesit e skuadrës nga Karolina e Veriut, është fakti që një nga këto dëmtime, duket se po kthehet në një problem kronik për lojtarin. Bëhet fjalë për shqetësimet që LaMelo ka ndjerë herë pas herë në kaviljen e djathtë dhe që është sërish një arsye për të ndalur 23-vjeçarin në infermieri. Tek Hornets, synojnë që sezonin e ardhshëm, të bëjnë një paraqitje ndryshe nga ajo që është parë në vitet e fundit, duke u mbështetur pikërisht tek LaMelo, tek një nga zgjedhjet e ‘draft’-it të fundit, Miller, dhe me shpresën se do të afrojnë në verën e ardhshme një profil tjetër të rëndësishëm, për të synuar të paktën fazën ‘play-in’. Por këto probleme të vazhdueshme të Ball në kavlijen e tij të djathtë po bëhen më të shpeshta, prandaj është marrë vendimi që ai të nisë që tani ‘pushimet. Kjo bëhet me shpresën që deri në nisjen e sezonit të ardhshëm, LaMelo të ketë lënë pas njëherë e mirë këtë dëmtim, për të mos patur sërish ndalesa të shumta përgjatë 2025/2026-ës. Në 3 sezonet e fundit, Ball ka humbur të paktën 25 ndeshje në secilin prej tyre, pikërisht për arsye të problemeve me kaviljen, çfarë tani po trajtohet si diçka shumë serioze, ndonëse nuk bëhet fjalë për ndonjë nga dëmtimet e rënda që jemi mësuar të shohim tek lojtarët e NBA në kavilje.  Në këtë mënyrë, kur ka mbetur edhe pak nga mbyllja e sezonit të rregullt, tek Charlotte Hornets nisin të mendojnë që tani për vitin e ardhshëm, ndërkohë që LaMelo e mbyll 2024/2025-ën me një mesatare prej më shumë se 25 pikësh, 7 asistesh dhe thuajse 5 ribaundesh, në 47 ndeshjet e luajtura prej tij. Ball është i pari lojtar i Hornets që siguron një mesatare prej 25 pikësh e 7 asistesh në një sezon të NBA, teksa pati edhe një rekord absolut në klub me 25 pikë e 10 asiste në të paktën 6 ndeshje të këtij sezoni. Në bashkëpunim me emra si Brandon Miller, Miles Bridges dhe Mark Williams, tek Charlotte besuan se këtë sezon, LaMelo Ball do t’i udhëhiqte në luftën për zonën ‘playoffs’, por dëmtimet e shumta të lojtarëve, kanë rezultutar një problem shumë i madh, diçka që tek skuadra nga Karolina e Veriut, kërkojnë ta zgjidhin njëherë e mirë.