NBA, Lakers vuajnë pa LeBron e Davis; Warriors ‘bëjnë vetvrasje’ ndaj Utah Jazz

Sport

Los Angeles Lakers duket se e kanë të vështirë të gjejnë fitoren kur në parket mungojnë LeBron James e Anthony Davis. Kalifornianët u mposhtën 126-113 nga Toronto Raptors, në një sfidë ku luanin pa dy yjet e ekipit. Toronto e mbylli me një avantazh prej 8 pikësh periodën e parë, duke marrë nën kontroll takimin. Lakers do të lëshonin edhe 15 pikë të tjera në periodën e dytë, duke u dorëzuar përpara kohe. Pascal Siakam dhe Fred VanVleet shënuan secili nga 25 pikë, ndërsa OG Anunoby u ndal në 23 pikë. Tek Lakers, shënuesi më i mirë ishte Denis Schroder me 18 pikë, çfarë tregon se për kalifornianët ishte e pamundur të merrnin një rezultat pozitiv.

Janë rikthyer tek fitorja Chicago Bulls, që mposhtën 115-111 Washington Wizards. DeMar DeRozan, Zach LaVine dhe Nikola Vucevic ia dolën që pas shumë kohësh të respektonin pritshmëritë ndaj tyre si liderët e ekipit, duke shnëuar në total 77 pikë. Ëizards u përpoqën të përgjigjeshuin me Kristpas Porzingis. Letonezi ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 28 pikë, por që vlejnë vetëm për statistikat e tij personale.

Milwaukee Bucks ndalën vrullin e Sacramento Kings, duke i mposhtur 126-113, falë një super Giannis Antetokounmpo, i cili e mbylli me 35 pikë, 6 ribaunde e 7 assite. Ndeshje e mirë edhe për Jrue Holiday me 31 pikë, ndërsa për Kings, shkëlqeu Domantas Sabonis, me 23 pikë, 12 ribaunde e 7 asiste.

Golden State Warriors kanë marrë një humbje të papritur ndaj Utah Jazz, në një takim që u duk sikur lojtarët nga San Francisco e kishin nën kontroll. Jordan Poole shënoi 36 pikë, duke qenë më i miri në këtë aspekt, mirëpo 23-vjeçari gaboi në sekondat e fundit, duke i dhuruar mundësinë Utah të merrte një fitore shumë të rëndësishme. Për Warriors mungonte Steph Curry, ndërsa Klay Thompson nuk shënoi më shumë se 22 pikë.

Boston Celtics vazhdojnë të tregojnë forcën, duke mundur 125-98 Phoenix Suns. Dyshja Jayson Tatum e Jalyen Brown vazhdojnë paraqitjet e mira, duke shënuar këtë herë secili nga 25 pikë.
Memphis Grizzlies mposhtën 123-102 Oklahoma City Thunder, me Ja Morant që kompletoi një ‘triple-double’, ndërsa Brooklyn Nets mposhtën 122-116 Charlotte Hornets. Ndalen ata të Atlanta Hawks, që u mundën thellë 113-89 nga New York Knicks, ndërsa nuk zhgënjejnë tek New Orleans Pelicans, të cilët me fitoren 104-98 ndaj Detroit Pistons, kanë marrë kreun e ‘Konferencës së Perëndimit’.