NBA, Lakers u përgjigjen Nuggets, kalifornianët triumfojnë në ndeshjen e katërt

Sport

Los Angeles Lakers kanë rimarrë avantazhin e dyfishtë përballë Denver Nuggets dhe tani janë vetëm një fitore larg finales së madhe të NBA për këtë sezon. Kalifornianët mposhtën “Jokic&co.” në sfidën e katërt mes tyre me rezultatin 114-108, në një takim ku sërish Lakers u mbështetën tek forca e dyshes LeBron James dhe Anthony Davis. Ky i fundit ishte edhe shënuesi më i mirë në parket me 34 pikë, ndërsa James tentoi të regjistronte një tjetër ‘triple-double’, por u ndal në 26 pikë, 8 asiste dhe 9 rikuperime të topit nën tabelë. Sa i përket Denver, Jamal Murray realizoi plot 32 pikë dhe shërbeu 8 asiste për shokët e skuadrës. Disi më në hije kësaj radhe Nikola Jokic, që nuk shënoi më shumë se 16 pikë. Gjigandi serb nuk pati impaktin e zakonshëm tek loja e Denver, duke shfaqur dukshëm edhe shenja të lodhjes fizike. Zhgënjeu edhe Jerami Grant, i cili realizoi vetëm 17 pikë, ndërsa nuk ishte shumë i saktë sa i përket goditjeve për tre pikë. Grant kompletoi vetëm 2 nga 6 tentativat e tij në total, diçka që në fakt mund të kishte ndryshuar edhe fatin e ndeshjes. Lakers-at morën nën kontroll lojën që pas periodës së parë, të cilën e fituan me rezultatin e pjesshëm 37-30. Denver u përpoq të reagonte duke ngushtuar ndjeshëm diferencën deri në periodën e fundit, por sërish dyshja James e Davis treguan forcën e tyre, për të vulosur këtë fitore mjaft të rëndësishme për skuadrën nga Los Angeles. Lakers janë shumë pranë finales së madhe, aty ku mungojnë prej rreth 10 vitesh.