NBA, Lakers ‘i falen’ Anthony Davis; Kalifornianët triumfojnë edhe në ndeshjen e dytë ndaj Denver

Sport

Los Angeles Lakers i kanë respektuar pritshmëritë e tifozëve, duke triumfuar edhe në ndeshjen e dytë kundër Denver Nugges në finalen e ‘Konferencës së Perëndimit’, kësaj radhe me rezultatin e ngushtë 105-103. Kalifornianët iu falën një super Anthony Davis, i cili në fakt dha edhe goditjen fituese në 2 sekondat e fundit të sfidës. Lakers treguan forcën e tyre që në dy periodat e para të lojës, duke siguruar një avantazh komod prej 10 pikësh. Denver u përpoq në pjesën e dytë të takimit të shpaloste më të mirën e dy yjeve të skuadrës, Nikola Jokic dhe Jamal Murray, të cilët u përpoqën të përmbysnin situatën. Në fakt, dyshja e Nuggets ia doli të merrte kontrollin me 1 pikë avantazh. Por Lakers-at ende nuk e kishin thënë ‘fjalën e fundit’. Me vetëm dy sekonda të mbetura, Anthony Davis goditi saktë për 3 pikë, duke shokuar skuadrën e Denver dhe duke nisur festën tek Los Angeles Lakers. Davis ishte absolutisht ylli i takimit për kalifornianët me 31 pikë dhe 9 rikuperime të topit nën tabelë. Nuk mbetet prapa as lideri i Lakers, LeBron James, i cili e mbylli takimin me 26 pikë, 4 asiste dhe 11 rikuperime të topit nën tabelë. Tek Denver ndërkohë më i miri në parket ishte Nikola Jokic, me 30 pikë, 9 asiste dhe 6 rikuperime të topit nën tabelë, ndërsa Jamal Murray nuk shkoi më larg se shënimi i 25 pikëve. Pavarësisht përpjekjeve dhe performancës së shkëlqyer të Jokic, Nuggets dalin sërish të mundur dhe tanimë kanë një disavantazh 2-0 në serinë me Lakers-at, të cilët duken të jenë të destinuar për të arritur tek finalja e madhe e këtij sezoni të NBA.