NBA, Lakers fitojnë në shtesë ndaj Knicks; Bucks e Clippers bëjnë detyrën

Sport

Rikthimi në parket i LeBron James dhe Anthony Davis ka bërë që Los Angeles Lakers të rigjejnë fitoren, edhe pse vuajtën jo pak ndaj New York Knicks. Në ‘Madison Square Garden’ ishte e nevojshme të luhej në kohën shtesë për rezultatin final 129-123, edhe pse vendasit e Knicks patën shansin për të fituar takimin në fundin e periodës së katërt. James regjistroi ‘triple-double’-in e parë në këtë sezon dhe të 106-ën në karrierën e tij, me 28 pikë, 10 ribaunde e 11 asiste. 27 pikë e 9 ribaunde nga Anthony Davis, ndërsa për Knicks, më të dalluarit ishin Jalen Brunson me 37 pikë dhe Julius Randle, me 23 pikë e 12 ribaunde.
Vazhdojnë serinë e fitoreve ata të Milwaukee Bucks, që mposhtën 124-115 Charlotte Hornets. Sfida mori drejtimin e duhur për skuadrën nga Wisconsin vetëm në periodën e tretë, të udhëhequr nga i zakonshmi Giannis Antetokounmpo. ‘The Greek Freak’ regjistroi 34 pikë të shënuara dhe 18 ribaunde, kurse Hornets krenohen me paraqitjen e LaMelo Ball, i cili kompletoi një ‘triple-double’ me 27 pikë, 10 ribaunde e 11 asiste, por që vlejnë vetëm për statistikat e tij personale.
Tjetër fitore për Los Angeles Clippers, që nuk u patën aspak të lehtë ndaj Chicago Bulls, edhe pse i mposhtën 108-103. Të dyja skuadrat do të merrnin disa herë avantazhin në dëm të kundërshtarit, por në periodën e katërt, ai që bëri diferencën ishte Kawhi Leonard. Lideri i Clippers ishte i papërmbajtshëm në momentet e fundit, duke i dhënë një tjetër fitore të rëndësishme skuadrës së tij, me 33 pikë të shënuara.
Vazhdon kriza e rezultateve për New Orleans Pelicans, që morën humbjen e 9 radhazi, teksa u mposhtën 122-113 nga Denver Nuggets. Jamal Murray dhe Nikola Jokic e fituan thuajse të vetëm këtë përballje për skuadrën nga Kolorado, me kanadezin që e mbylli si shënuesi më i mirë i sfidës me 32 pikë. Ndërkohë ‘Joker’ kompletoi një tjetër ‘triple-double’, me 26 pikë, 18 ribaunde e 15 asiste. Fitore e rëndësishme edhe për Miami Heat, që kaluan 100-97 një rival direkt për fazën ‘playoffs’ si Cleveland Cavaliers. Jimmy Butler bëri diferencën me 23 pikë të shënuara, duke konsoliduar në këtë mënyrë edhe pozitat e skuadrës së tij në ‘Konferencën e Lindjes’.