NBA, Lakers fitojnë në limite ndaj Denver, Toronto ‘zhyt’ Milwaukee-n në krizë

Sport

Los Angeles Lakers janë rikthyer tek fitorja, pasi kanë mposhtur vetën në çastet e fundit të takimit me rezultatin 124-121, skuadrën e Denver Nuggets. Kalifornianët u mbështetën tek paraqitja e shkëlqyer e treshes LeBron James, Anthony Davis dhe Kyle Kuzma, me këtë të fundit që shënoi edhe 3-pikëshin vendimtar për të siguruar fitoren. James ndërkohë ishtë lojtari më i mirë i ndeshjes, pasi realizoi plot 29 pikë, si dhe shërbeu 12 asiste për shokët e skuadrës. Në hije ndërkohë ishte ylli kryesor i Denver, Nikola Jokiç, i cili në 25 minutat që qëndroi në parket, realizoi vetëm 12 pikë, shumë pak me atë që serbi është mësuar të japë gjatë këtij sezoni.

Ndërsa në ‘Konferencën e Lindjes’, Milwaukee vijon të vuajë rezultatet negative. Bucks u mposhtën kësaj radhe nga kampionët në fuqi të Toronto Raptors, të cilët e mbyllën me rezultatin 106-114. Kjo ishte humbja e katërt në pesë ndeshjet e fundit për skuadrën që kryeson renditjen në ‘Lindje’, që lidhet edhe me mungesën e Giannis Antetokounmpo, çfarë provon se skuadra e Bucks mbetet e varur nga paraqitjet e gjigandit grek. Sa i përket Torontos, kanadezët u udhëhoqën nga treshja Boucher-Thomas-Poëell, të cilët së bashku realizuan 68 pikë.

Triumf të rëndësishëm mori edhe skuadra e Miami Heat, që mposhti pa probleme 114-92 Indiana Pacers, duke konsoliduar për momentin pozitat e saj në ‘Konferencën e Lindjes’, ku aktualisht mbajnë vendin e katërt. Veterani Jimmy Butler ishte absolutisht protagonisti absolut i kësaj ndeshje, me 19 pikë, 5 asiste dhe 11 rikuperime të topit nën tabelë, 8 prej të cilave, erdhën në fazën mbrojtëse.