NBA, LA Lakers turpërohen nga Miami Heat; Clippers dhe Bucks humbasin sërish

Sport

Los Angeles Lakers duket se vazhdojnë të shfaqin të njëjta probleme si në sezonin e shkuar. Skuadra kaliforniane vijon të mos ketë qëndrueshmëri në rezultate, teksa në takimin e fundit, u turpëruarn me rezultatin 134-93 nga Miami Heat. Loja nisi me një ritëm të kënaqshëm nga të dyja skuadrat, edhe pse deri në fundin e pjesës së parë, Miami kishte krijuar një avantazh prej 17 pikësh. Për Lakers, gjërat morën për keq në periodën e tretë, ku ata të Heat i shtuan avantazhin të tyre edhe 16 pikë të tjera, çfarë praktikisht mbylli llogaritë e kësaj sfide. Tyler Herro ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 31 pikë, teksa ishte i saktë edhe në plot 9 gjuajtje për 3 pikë. Jimmy Butler e mbylli me 17 pikë e 9 ribaunde, ndërkohë që Bam Adebayo kompletoi një ‘double-double’ me 14 pikë e 10 ribaunde. Për LA Lakers, më i miri në parket ishte LeBron James me 29 pikë e 8 asiste, por që nuk mjaftuan për të ndalur triumfin e ish-skuadrës së tij.
Humbje edhe për skuadrën tjetër të qytetit të Los Angeles. Clippers u mposhtën 108-80 nga Minnesota Timberwolves, në një takim që nuk pati shumë histori. Minnesota mori një avantazh prej 17 pikësh brenda pjesës së parë, duke i bërë gjërat shumë të thjeshta për skuadrën e trajnerit Finch. Julius Randle me 20 pikë dhe Anthony Edwards me 18, ishte ata që udhëhoqën Timberwolves në këtë takim, ndërkohë që për Clippers, më i dalluari ishte Hyland me 18 pikë.
Tjetër dështim për Milwaukee Bucks, që këtë herë u ndalën nga Atlanta Hawks. Edhe pse Giannis Antetokounmpo dhe Damian Lillard ishin shënuesit më të mirë të ndeshjes, respektivisht me 31 e 25 pikë, përsëri nuk ia dolën t’i jepnin fitoren skuadrës së tyre. Tek Atlanta ishin plot 6 lojtarë që kaluan kuotën e 10 pikëve, ndërkohë që tek Bucks, veç Giannis e Lillard, i vetmi që shënoi mbi 10 pikë ishte Gary Trent Jr., 11.

Në takimet e tjera, Boston Celtics mposhti pa probleme Detroit Pistons, 130-120, ndërkohë që Indiana Pacers u ndalën në New York, nga Brooklyn Nets, me rezultatin e përgjithshëm 99-90. Vijon ndërkohë me suksese të rëndësishme skuadra e Orlando Magic, që mposhti me rezultatin e ngushtë 106-102, Philadelphia 76ers, në shtëpinë e këtyre të fundit.