Los Angeles Lakers kanë triumfuar në një nga ndeshjet më të rëndësishme të fundin të sezonit të rregullt. Kalifornianët mposhtën 123-108 New Orleans Pelicans, një kundërshtar direkt për një biletë në fazën tjetër, në një takim që u dominua nga lojtarët e trajnerit Darvin Ham. Të udhëhequr nga Anthony Davis, Lakers ia dolën të siguronin një avantazh prej 35 pikësh brenda pjesës së parë, çfarë e bëri shumë të thjeshtë menaxhimin e pjesës së mbetur të lojës. ‘AD’ ishte lojtari më i mirë në parket me 35 pikë të shënuara dhe 17 ribaunde, ndërkohë që kontribut të rëndësishëm dha edhe Beasley me 24 pikë. Lakers kalojnë kështu në renditje skuadrën e Pelicans dhe mund të besojnë edhe tek vendi i gjashtë, ndonëse rivalët përpara tyre nuk po gabojnë më.
Një prej tyre është edhe skuadra e Oklahoma City Thunder, që triumfuan në shtëpi ndaj Brooklyn Nets, me rezultatin 121-107. Shai Gilgeous-Alexander bëri sërish liderin për ekipin teksan, duke qenë shënuesi më i mirë i sfidës me 35 pikë, vetëm 1 më shumë se sa Mikkal Bridges i Brooklyn. Ndërsa talenti i Thunder, australiani Josh Giddey kompletoi një ‘triple-double’, me 15 pikë, 13 ribaunde e 10 assite.
Milwaukee Bucks vazhdojnë të tregojnë forcën dhe pas mposhtën Golden State Warriors e Sacramento Kings, i kanë dhënë një leksion edhe atyre të Phoenix Suns. Bucks triumfuan 116-104 ndaj ekipi nga Arizona, që nuk e shmangu dot humbjen e katërt radhazi, ndonëse luanin përpara tifozëve të tyre. Loja ishte mjaft e balancuar, me avantazhin që kalonte sa në njërën anë të parketin, në tjetrën. Diferencat u bënë në periodën e katërt, me Giannis Antetokounmpo që ia doli të udhëhiqte si duhej skuadrën me 36 pikë, 11 ribaunde e 8 asiste. Ndeshje të mirë bëri edhe Brook Lopez me 21 pikë e 10 ribaunde, teksa për Suns, më i miri ishte Devin Booker me 30 pikë.
Ndërkohë ata të Denver Nuggets duket se e kanë ulur ndjeshëm ritmin, pasi u mposhtën 125-110 nga Toronto Raptors. Edhe pse Nikola Jokic e Jamal Murray ishin në parket në pjesën më të madhe të kohës, skuadra nga Kolorado pësoi humbjen e katërt radhazi, që gjithësesi nuk e cënon vendin e parë në renditje.
Në takimet e tjera, New York Knicks morën tjetër triumf, pasi kaluan 123-107 Portland Trail Blazers, në shtëpinë e këtyrë të fundit. Edhe Washington Wizards vijon betejën për të qenë pjesë e fazës finale të sezonit, pasi kaluan pa shumë telashe Detroit Pistons, me rezultatin 117-97. Kurse Cleveland Cavaliers, edhe pse luanin pa Donovan Mitchell, mposhtën 120-104 Charlotte Hornets.