Boston Celtics i befasuan të gjithë kur vendosën të sakrifikonin Marcus Smart, për të afruar pranë skuadrës së Joe Mazzulla-s, shtatlartin letonez, Kristaps Porzingis. 27-vjeçari shihet si ajo çfarë i mungon dyshes Jayson Tatum e Jaylen Brown në rrugën drejt titullit kampion, ndonëse në sezonet e fundit, Porzingis nuk ka dhënë atë se çfarë pritej prej tij. Por duket se besimi i Celtics ndaj letonezit është i madh, aq sa shtatlartit i është rinovuar kontratë për dy vite, nga ku do të përfitojë në total rreth 60 milionë dollarë. Duke shtuar edhe një vit kontratë që Porzingis kishte përpara këtij rinovimi, atëherë letonezi supozohet të jetë i lidhur me klubin nga Masaçusets deri në 2026-ën dhe në total do të paguhet plot 96 milionë dollarë. Pas humbi besimin e drejtuesve të New York Knicks dhe atyre të Dallas Mavericks, për shkak të dëmtimeve të shumta, Porzingis ia doli të zhvillonte një sezon të mirë në aspektin personal gjatë 2022/2023-shit, me fanellën e Washington Wizards. Tashmë letonezit i është dhënë një tjetër mundësi e artë për të treguar vlerat e tij e për të luftuar për objektiva madhorë, ndonëse do të ketë një rol mbështetës ndaj dyshes së konfirmuar tek Celtics, Tatum e Brown. Porzingis ka pranuar rolin e tij në skuadër dhe është i lumtur që është pjesë e projektit të Bostonit, me drejtuesit e klubit që mendojnë se 27-vjeçari është në moshën e duhur për të luajtur në kulmin e tij. Megjithatë, rinovimi i kontratës së Porzingis do të thotë se drejtuesit e Cetlics e marrin në konsideratë edhe dështimin e kësaj lëvizjeje dhe duke patur një marrëveshje me afatgjatë, mund ta përdorin letonezin për ndonjë shkëmbim tjetër në të ardhmen, gjithmonë në dobi të skuadrës së tyre. Në sezonin që lamë pas, Porzingis luajti 65 takime me fanellën e Washington Wizards, me një mesatare prej më shumë se 23 pikësh, 8 ribaundesh e 2 asistesh për ndeshje.