Phoenix Suns mbeten skuadra për t’u mundur në ‘Konferencën e Perëndimit. Ekipi nga Arizona vazhdon të ruajë kreun e renditjes, teksa mposhti 113-112 Utah Jazz. DeAndre Ayton ishte më i dalluari në parket me 29 pikë e 21 ribaunde, në atë që rezultoi si sfida më e mirë e këtij sezoni për gjigandin nga Bahamasi. Për Utah, kjo ishte humbja e katërt radhazi, çfarë i ka zbritur në harkun kohor të një jave në vendin e 8.
Los Angeles Clippers mposhtën 114-100 Indiana Pacers. Përballja mori vëmendje të madhe për shkak të paraqitjes së kroatit Ivica Zubac, me 31 pikë e 29 ribaunde, 12 prej të cilave në fazën sulmuese.
Duket se kanë gjetur ritmin e duhur ata të Golden State Warriors. Kampionët në fuqi kanë një seri prej 3 fitoresh radhazi, teksa mposhtën së fundmi 137-114 Minnesota Timberwolves. Steph Curry bëri sërish liderin, me 25 pikë, 11 ribaunde e 8 asiste dhe Warriors tashmë renditen në vendin e 9, që përkon me zonën ‘play-in’.
4 fitore në 5 ndeshjet e fundit nuk mjaftojnë që Los Angeles Lakers të zhvendosen nga vendet e fundit të tabelës. Kalifornianët triumfuan në takimin e së dielës ndaj San Antonio Spurs, me rezultatin 143-138. LeBron James duket se është rikthyer nga dëmtimi në formën më të mirë, pasi në takimin e fundit, shënoi një ‘double-double’, me 39 pikë e 11 ribaunde.
4 humbje radhazi për Dallas Mavericks, që kanë dalë jashtë zonës ‘play-in’, ndërkohë që në telashe duket të jenë edhe ata të Portland, të cilët në 5 ndeshjet e fundit, llogarisin vetëm 1 fitore, të siguruar vetëm pas kohës shtesë.