NBA/ Konferenca e Lindjes

Sport

Ka përfunduar faza e grupeve të turneut In-season në NBA. Sa i përket Konferencës së Lindjes, 4 skuadrat që kanë siguruar biletën në fazën çerekfinale janë Indiana Pacers, Milwaukee Bucks, Boston Celtics dhe New York Knicks.

Në Grupin A, Pacers e mbyllën të parët, duke fituar secilën prej 4 ndeshjeve të luajtura. Suksesi i tyre i fundit ishte ndaj Detroit Pistons, 136-113 në transferetë, duke triumfuar në 3 prej 4 periodave të sfdiës. Ai që bëri diferencën në një takim të tillë ishte Haliburton, i cili realizoi 26 pikë dhe shërbeu 10 asiste. Po ashtu, vendimtar rezultoi edhe Turner, i cili, 10 nga 23 pikët e tij, i shënoi në pjesën e fundit të përballjes.

Në çerekfinale, Indiana Pacers do të takohet me Boston Celtics, që në këtë fazë mbërriti si pasojë e klasifikimit në vendin e parë të  Grupit C. Me 3 fitore dhe një humbje, Celtics arritën të kalifikoheshin për më tej, vetëm falë pikavarazhit, sepse Orlando Magic, apo edhe Brooklyn Nets, regjistruan gjithashtu nga 3 fitore dhe vetëm një humbje. Suksesi 124-97 ndaj Chicago Bulls rezultoi mjaft vendimtar në rrugtimin e skuadrës së Joe Mazzulla drejt çerekfinaleve të In-Season.

Sa i përket skuadrave të Lindjes, si e dyta më e mirë e Grupeve është kualifikuar New York Knicks, duke lënë pas vetes ekipe si Cleveland Cavaliers, apo edhe Brooklyn Nets. Në çerekfinale, Knicks do të përballet me Milwaukee Bucks, që doli si kryesues i Grupit B.

Ndeshjet e fazës çerekfinale do të luhen në datat 4 dhe 5 Dhjetor, ndërsa të gjitha përballjet do të jenë me vetëm një takim.