NBA, Knicks mposhtin në shtesë edhe Bulls; Mitchell fiton duelin ndaj Doncic

Sport

New York Knicks janë skuadra më në formë e momentit në NBA. Ekipi i trajnerit Thibodeau mori një tjetër fitore të rëndësishme, ndaj një rivali direkt për fazën finale të sezonit si Chicago Bulls, duke i mposhtur në kohën shtesë 128-120. Loja nisi shumë mirë për Knicks, që kishin një avantazh prej 9 pikësh deri në fundin e pjesës së parë. Bulls arritën të reagojnë në periodën e tretë, falë të zakonshmit DeMar DeRozan. Në barazpeshë 117-117, të dyja skuadrat patën nga një shans për të marrë fitoren në sekondat e fundit, por pa sukses. Në shtesë, Jalen Brunson bëri diferencën për Knicks, duke i dhënë fitoren e 15 në këtë sezon trajnerit Thibodeau. Julius Randle dhe Brunon shënuan respektivisht nga 31 dhe 30 pikë, ndërkohë që DeRozan e mbylli me 32 pikë, por që nuk i dhanë dot fitoren skuadrës së Bulls.

Duel mjaft i bukur ishte edhe ai mes Dallas Mavericks dhe Cleveland Cavaliers, me liderin e këtyre të fundit, Donovan Mitchell, që doli triumfues ndaj Luka Doncic. Skuadra nga Ohio triumfoi 105-90, me Mitchell i cili ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 34 pikë, 4 më shumë se sa Luka Doncic.

Takim mjaft i luftuar rezultoi edhe ai mes Toronto Raptors dhe Sacramento Kings, me këta të fundit që dolën fitues me rezultatin e ngushtë 124-123. Fred VanVleet dhe Scottie Barnes bënë një ndeshje të madhe për Toronton. I pari shënoi 39 pikë,  ndërkohë që Barnes e mbylli me 27 pikë, 7 ribaunde e 10 asiste. Shifra të ngjashme pati edhe lideri i Kings, De’Aaron Fox, teksa për Sacramento-n shkëlqeu edhe Sabonis, me 21 pikë e 20 ribaunde.

Në sfidat e tjera, Denver Nuggets mundën lehtësisht 141-128 Washington Wizards, kurse Portland kaloi 128-112 San Antonio Spurs. Tjetër fitore e rëndësishme për Clippers, që triumfuan 99-88 ndaj Minnesota Timberwolves ndërkohë që Atlanta zhgënjeu ndaj Orlando Magic, të cilët fituan vetëm ndeshjen e 9 për këtë sezon, me rezultatin 135-124.