NBA, Knicks fitojnë në shtesë ndaj Celtics; Dallas mposht Phoenix, por humbet Doncic

Sport

New York Knicks kanë marrë një fitore me shumë peshë në ‘TD Garden’ ndaj skuadrës më të mirë të momentit në NBA. Celtics kanë humbur një tjetër ndeshje në kohën shtesë, pasi Knicks triumfuan 120-117. Loja ishte mjaft e balancuar, me Knicks që patën avantazhin në pjesën më të madhe të kohës. Julius Randle ishte ai që bëri diferencën për ekipin e trajnerit Tom Thibodeau, me 37 pikë e 9 ribaunde, por ndeshje të mirë bëri edhe Jaylen Brunson me 29 pikë e 7 asiste, teksa bllokoi tentativën e fundit të lojës nga ana e Celtics. 35 pikë e 14 ribaunde për Jayson Tatum, që bëri gjithçka për të shmangur humbjen, por pa patur sukses.

Përballje interesante ishte edhe ajo mes Dallas Mavericks dhe Phoenix Suns, në parketin e këtyrë të fundit. Në sfidën e transmetuar në ‘Tring’, Mavericks morën një goditje të rëndë në fillimin e lojës, pas dëmtimit të yllit të skuadrës Luka Doncic, i cili nuk do të kthehej më nga dhomat e zhveshjes. Gjithësesi, teksanët gjetën një Spencer DinWiddie në super formë, i cili me 36 pikë, 6 ribuande e 9 asiste, bëri paraqitjen më të mirë të këtij sezoni, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij ndaj Suns me rezultatin e ngushtë 99-95. 22 pikë nga Cam Johnson dhe Chris Paul, që po ashtu shërbeu edhe 10 asiste. Ndërsa ‘double-double’ arritën edhe emra si Deandre Ayton i Phoenix apo Dorian Finney-Smith i Dallas, duke qenë ndër më të dalluarit në ‘Footprint Center’.

Kanë marrë tjetër fitore ata të Los Angeles Clippers, që me Kawhi Leonard e Paul George në parket, e patën të thjeshtë të triumfonin 138-100 ndaj San Antonio Spurs. ‘PG13’ ishte shënuesi më i mirë i takimit me 35 pikë, ndërkohë që Leonard u ndal në kuotën e 27 pikëve. Zhgënjejnë ata të Brooklyn Nets, që pavarësisht se patën një super Kyrie Irving me 40 pikë të shënuara, u mposhtë në shtëpinë e tyre 130-122 nga Detroit Pistons. Cleveland Cavaliers kaluan pa probleme Houston Rockets 113-95, ndërkohë që surprizë mund të konsiderohet humbja e Chicago Bulls 111-96 nga Charlotte Hornets, që aktualisht luajnë pa objektiva.