NBA, Kevin Durant mund të mbetet tek Brooklyn; ja situata me yllin e Nets

Sport

Kevin Durant tronditi drejtuesit dhe tifozët e Brooklyn Nets në muajin qershor, kur kërkoi largimin nga skuadra, pavarësisht kontratës afatgjatë që ka me klubin njujorkez. ‘KD’ nuk është i kënaqur me paqartësitë që ekzistojnë tek projekti i ekipit dhe për këtë arsye kërkon të zhvendosë karrierën diku tjetër, ku synimi mbetet të luftojë për titullin kampion. Tashmë 33-vjeçar, Durant kishte shprehur tek të afërmit e tij dëshirën për të provuar një aventurë tek dy skuadra në veçanti: Phoenix Suns dhe Miami Heat. Të dyja këto skuadra nisën kontakte intensive me drejtuesit e Nets për të diskutuar rreth mundësisë së transferimit të ‘KD’, por tashmë Phoenix Suns mund të konsiderohen jashtë kësaj gare. Skuadra nga Arizona sapo firmosi rinovimin e kontratës me DeAndre Ayton, i cili nuk mund të përdoret për shkëmbim deri në 15 janarin e vitit të ardhshëm. Ndërsa Devin Booker mbetet qendra e projektit të Suns dhe në këtë mënyrë, Suns nuk kanë asetet e duhura për të bindur Nets të lejojnë largimin e Durant.
Edhe Miami nuk ka mundësitë e duhura për ta bërë realitet këtë gjë, pavarësisht përpjekjes së skuadrës nga ‘Konferenca e Lindjes’ për të përfshirë edhe 1 apo 2 skuadra të tjera në marrëveshjen e mundshme me Nets. Për momentin asnjë skuadër nuk ka mundësinë të plotësojë kërkesat e Brooklyn Nets për Kevin Durant. Një gjë e tillë ndodh jo vetëm sepse skuadra njujorkeze kërkon shumë asete të rëndësishme për të lënë të lirë një nga ata që cilësohet si ndër më të mirët në botë, por edhe prej faktit se ‘KD’ ka një kontratë që zë një pjesë të mirë të buxhetit të pagave. Pra, nuk përjashtohet mundësia që Durant të vijojë të jetë pjesë e Brooklyn Nets edhe në sezonin e ardhshëm. Nëse situata në tregun e shkëmbimeve nuk do të ndryshojë, atëherë gjasat janë që ai dhe Irving të provojnë edhe njëherë të shtyjnë me fanellën e skuadrës njujorkeze, përpara se të shohin një mundësi tjetër në karrierën e tyre. Gjatë 2021/2022-shit, Durant luajti 55 ndeshje me fanellën e Brooklyn Nets, duke regjistruar mesatarisht 30 pikë, 7 ribaunde e 6 asiste për ndeshje, duke qenë i saktë në thuajse 52% të tentativave të tij në lojë e sipër.