Me sezonin e rregullt që është drejt mbylljes, skuadrat e NBA po japin maksimumin në ndeshjet e fundit për të zënë nje vend që të çon në zonën play-off. Pjesë e kësaj lufte është edhe Denver Nuggets, që përballë një kundërshtari direkt si Detroit Pistons, morën një fitore të rëndësishme me rezultatin 120-113.
Nikola Jokiç ishte njeriu i ndeshjes për Nuggets, pasi realizoi “triple-double” e 8 sezonal dhe të 14 në karrierë. Serbi 23-vjeçar shënoi në këtë sfidë 23 pikë, 10 asiste dhe 12 zotërime të topit nën tabelë. Ndërsa shënuesit më të mirë ishin Murray për Denver dhe Griffin për Detroit me nga 26 pikë secili.
Një situatë e pakëndshme u pa ndërkohë në sfidën mes Utah Jazz dhe Phoenix Suns, ku Marquese Chriss dhe Jared Dudley u përplasen fizikisht me Ricky Rubio të Utah. Të dy lojtarët e Suns u pezulluan në këtë ndeshje, që u fitua nga skuadra e Jazz me rezultatin 116-88.